Ymeri: Sejdiu ka ofruar dorëheqjen
Në Lëvizjen Vetëvendosje nuk është i rëndësishëm asnjë figurë e asnjë njeri më shumë se sa vetë organizata. Madje, as Albin Kurti.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri në një intervistë për Rubikon të KTV-së ka thënë se asnjë prej figurave brenda subjektit nuk duhet ta shoh vetën më të rëndësishëm se sa organizatën.
“Asnjë njeri nuk duhet ta shoh vetën më të rëndësishëm se sa organizatën, asnjëri. Lëvizja Vetëvendosje mundet të ecë përpara me gjithë ne. Albin Kurti e ka një kontribut të pazëvendësueshëm për Lëvizjen, këtë kurrkush nuk po ia mohon. Çka po them unë, organizata politike dhe veçanërisht ideja që LVV po do ta paraqesë është se njerëzit janë zbatues të kësaj ideje dhe në funksion të saj”, ka thënë Ymeri.
Ymeri bëri të ditur se në mbledhjen e mbajtur Shpend Ahmeti e Dardan Molliaj treguar publikisht se nuk kanë ambicie për postin e të parit të partisë.
“Edhe Dardan Molliqaj edhe Shpend Ahmeti kanë deklaruar publikisht se nuk janë të interesuar apo të garojnë për kryetar të partisë, se nuk kanë ambicie për të garuar si kryetar. Dardan Sejdiu ma ka ofruar dorëheqjen e tij. Doli se është dorëhequr, jo, ai ma ka ofruar dorëheqjen. Një numër i caktuar i njerëzve në lëvizjen vetëvendosje, duke e parë çka po ndodh brenda Lëvizjes, ata janë të gatshëm të ofrojnë dorëheqje nga secila detyrë udhëheqëse nëse ajo ndikon në përmirësimin e gjendjes. Jo, ata vetëm e dëshmojnë se nuk kanë ambicie për pushtet”, ka thënë Ymeri.
“Molliqaj ka ofruar publikisht që është i gatshëm të dorëhiqet edhe nga posti i deputetit nëse kjo është ajo që po kërkohet nga pala tjetër, nëse kjo është ajo që i garanton Lëvizjes Vetëvendosje dy gjëra, ajo që i mundëson Vetëvendosjes demokratizimin apo vazhdimin e demokratizimin dhe në anën tjetër që garanton unitetin”, ka thënë ai.
“Nuk mendoj që askush në Lëvizjen Vetëvendosje duhet ta dëmtoj atë me ose pa qëllim. Secili prej mendimeve të cilët tash janë nda në dy taborë të ndryshme, secili prej këtyre mendimeve është i bindur se po e bën për të mirën e organizatës mirëpo njëri është i vërtet”, ka thënë ai.