Ymeri tregon nëse udhëheqës të PSD-së janë takuar me Thaçin për dialogun
Përfaqësues të Partisë Socialdemokrate të udhëhequr nga Shpend Ahmeti asnjëherë nuk janë takuar me presidentin Hashim Thaçi për të diskutuar rreth dialogut Kosovë-Serbi të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian (BE).
Nënkryetari i PSD-së, Visar Ymeri, i ka thënë për “Ekonomia Online” se përfaqësuesit e partisë së tij kanë marrë pjesë vetëm në tryezat e organizuara nga partitë e tjera ku është folur edhe për dialogun, por Thaçin nuk e kanë takuar për këtë çështje.
“Jo nuk ka pasur asnjë takim me presidentin nga deputetët e partisë Socialdemokrate. Ka pasur tryeza të partive politike në të cilën kemi marrë pjesë si dhe ka pasur tryeza të shoqërisë civile me përfaqësues të partive politike në të cilën ka qenë e pranishme Partia Socialdemokrate. Të gjitha këto kanë qenë të drejtuara pak a shumë drejt modalitetit të një konsensusi sa i përket dialogut me Serbinë”, ka thënë Ymeri.
Ymeri ka thënë se askush nuk ka mandat që të diskutoj në këtë fazë që po konsiderohet finale me Serbinë, duke i quajtur jo legjitime dhe inekzistente, takimet e Thaçit me homologun serb Aleksandër Vuçiq.
Presidenti Hashim Thaçi ka deklaruar se është takuar me deputetë të pozitës e opozitës për të diskutuar rreth procesit që po e udhëheq vet, ndonëse nuk e ka përkrahjen.