Youtube dhe rrjetet sociale, ja çfarë konsumojnë fëmijët kosovarë në internet
Për herë të parë në Kosovë është realizuar një hulumtim shkencor për kohën e qëndrimit online të fëmijëve, përvojat dhe rreziqet e tyre nga të qenit i pranishëm në internet.
Projekti është realizuar nga Kolegji AAB në kuadër të granteve shkencore të ndara nga MASH-i për projekte shkencore.
Që nga viti 2009 studime të tilla për fëmijët në vendet e BE-së, realizohen vazhdimisht, ndërsa në vendin tonë ky projekt është realizuar për herë të parë, përderisa vendet e rajonit si Serbia është e përfshirë në këto të dhëna, ndërsa Shqipëria mbetet në proces.
Në prezantimin e rezultateve të hulumtimit të realizuar gjatë vitit 2009, prorektori për hulumtim shkencor në Kolegjin AAB, Hasan Saliu, ka theksuar se për shkak të rrethanave me pandeminë nuk kanë mundur ta prezantojnë më herët. “Qëllimi i këtij hulumtimi ka qenë që të matet koha e qëndrimit online të fëmijëve, për çka e përdorin ata dhe cilët janë rreziqet që mund t’iu kanosen atyre. Objektivi tjetër është se çfarë i dallon fëmijët në Kosove dhe atyre në Evropë”, ka thënë Saliu.
Ai bëri me dije se konsulent profesional në këtë projekt ka qenë Universiteti i Peruxhas nga Italia, ndërsa të dhënat preliminare janë prezantuar në konferencën më të madhe të komunikimit dhe mediave, në Universitetin Complutence të Madridit.
Bazuar në gjetjet e hulumtimit, të cilat kanë dalë nga pyetësori i standardizuar sipas studiueses Sonia Livingstone në të gjitha vendet evropiane dhe më gjerë, e ku grupmosha e përfshirë në këtë hulumtim i përket fëmijëve të moshës 11-16 vjeç, del se në Kosovë 93 për qind e fëmijëve të kësaj grupmoshe kanë deklaruar se posedojnë smpartphone.
Kjo edhe nxjerr të dhënat e qasjes së tyre, në internet ku burimi kryesor i qasjes është telefoni mobil (88 për qind), i pasuar nga laptopi personal (82 për qind). “Gjetjet e hulumtimit tregojnë se fëmijët kosovarë gjatë fundjavës dhe pushimeve verore, dyfishojnë kohën e qëndrimit në internet krahasuar me kohën gjatë ditëve të mësimit. Rreth 40 për qind e tyre gjatë fundjavës theksojnë se harxhojnë deri 3-4 orë në ditë online gjatë fundjavës, përderisa gjatë ditëve të mësimit ata janë online 1-2 orë”, ka theksuar Zija Rexhepi, profesor në Kolegjin AAB.
Të dhënat tregojnë se mbi 60 për qind e fëmijëve të grupmoshës 11-16 vjeç në Kosovë, në baza ditore shikojnë videoklipe dhe dëgjojnë muzikë në youtube, ndërsa mbi 72,5 për qind e tyre çdo ditë janë prezentë në rrjete sociale.
Në këtë pikë, janë fëmijët e gjinisë mashkullore që dominojnë me prezencë në rrjete sociale (80 për qind) kundrejt vajzave (77.5 për qind).
Rrjeti social më i popullarizuar i kësaj grupmoshe mbetet ‘Instagram’-i (43 për qind) dhe ‘Facebook’ (23 për qind).
Duke folur për eksperiencat e fëmijëve, bazuar në gjetjet e hulumtimit, profesoresha Saranda Shatri, tregoi se 27.2 për qind janë shprehur se e kanë më lehtë të bisedojnë disa gjëra online të cilat përndryshe nuk do t’i bisedonin me dikë ballë për ballë.
Shqetësuese janë edhe rezultatet e dala për konsumimin e përmbajtjeve seksuale online nga fëmijët e moshës 11-16 vjeç. 18.5 për qind kanë deklaruar se kanë parë imazhe, fotografi, vizatime apo video të ndryshme me pamje seksuale.
Prej tyre, 7.8 për qind kanë thënë se këto imazhe i shohin çdo ditë apo gati çdo ditë. Djemtë janë konsumatorë më të mëdhenj të këtyre përmbajtjeve dhe më pak të shqetësuar se vajzat (40,5 për qind e tyre deklarohen se nuk shqetësohen fare për përmbajtjen).
Profesoresha Mimoza Kamberi, ka treguar se në bazë të gjetjeve të hulumtimit, del se 30 për qind e respondentëve kanë diskutuar me prindërit për këto çështje, përderisa 70 për qind e tyre nuk i kanë diskutuar fare.
Megjithatë, krahasuar me vendet e tjera, konsumimi i këtyre përmbajtjeve eksplicite në Kosovë mbetet më i ulët se në vendet tjera (p.sh. Francë, 21 për qind, Serbi, 50 për qind, etj.).
Duke u bazuar në këto të dhëna autorët e hulumtimit rekomandojnë që në arsimimin parauniversitar medoemos duhet të futet lënda “Edukim Mediatik” me një kurrikulë të qëndrueshme dhe të përditësuar. Po ashtu, një rol të rëndësishëm e ka sensibilizimi i ndërmjetësimit prindëror në këtë aspekt.
(Q.R / Epoka e re)