Zaccheroni, trajneri i Shqipërisë?
Pas shkarkimit të Christian Panuccit, Federata Shqiptare e Futbollit vijon kërkimet për një emër të denjë si pasues të teknikut italian, që do të drejtojë Shqipërinë në fushatën e kualifikueseve për Euro 2020.
Burime nga FSHF-ja konfirmojnë për Top Channel se një prej emrave në krye të listës së dëshirave të presidentit Duka është Alberto Zaccheroni, ish-trajner i Milanit dhe Japonisë. Mësohet gjithashtu se presidenti Duka do të ulet në një drekë informale këtë të shtunë, pikërisht me teknikun Zaccheroni në qytetin e Bolognas në Itali.
Megjithatë, ende nuk ka asgjë zyrtare nëse kërkesë-oferta mes palëve përputhen, apo mbi gatishmërinë e teknikut me shumë eksperiencë për të veshur tutën sportive të përfaqësueses kuqezi. Nëse gjithçka mbyllet me sukses, trajneri italian mund te firmosë një kontratë dyvjeçare (1+1) për të drejtuar kuqezinjtë.