Zaev, pas kualifikimit në Evropian: Vetëm të bashkuar ia dalim!
Kualifikimi i Maqedonisë së Veriut në finalet e Evropianit është një arritje historike për një skuadër që ka në përbërje futbollistë të kombësive të ndryshme. Kryeministri i vendit, Zoran Zaev, mëngjesin e kësaj të premteje, mirëpriti delegacionin e përfaqësueses që u kthyer fitimtare nga Tbilisi, kryeqyteti i Gjeorgjisë.
Sigurisht në fjalën e tij kishte vetëm admirim për punën e kryer nga Federata e Futbollit të Maqedonisë së Veriut dhe trajneri i përfaqësueses, Angelovski. Çelësi i këtij suksesi, sipas kryeministrit, ishte uniteti mes maqedonasve, shqiptarëve dhe turqve.
“Këtë gëzim të madh na e sollën futbollistët heronj, të cilët lanë zemrën në fushën në Tbilisi, duke sjellë këtë fitore të madhe që historia e futbollit vendor nuk e mban mend deri më tani. Përfaqësuesja e Maqedonisë për herë të parë do të mund të luajë në një Kampionat Evropian. Të gjithë qytetarët e Maqedonisë i janë gëzuar këtij suksesi. Feston i gjithë shteti. Një gol për të gjithë, një fitore për të gjithë, kjo është e mundur vetëm nëse jemi të bashkuar. Maqedonas, shqiptarë, turq… në të njëjtën fanellën, nën të njëjtin flamur për vendlindjen e përbashkët. Kjo dëshmon se vetëm të bashkuar mundemi, një për të gjithë, dhe të gjithë për një”, u shpreh Zoran Zaev. (SS)