Zaevi bie viktimë e komedianëve rusë
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ka rënë pre e një loje të organizuar nga dy aktorë komedianë rusë Vladimir ‘Vovan’ Kuznetsov dhe Alexei ‘Lexus’ Stolyarov.
Lajmi është konfirmuar edhe nga vetë Zaev, i cili tha se ishte bërë viktimë e një loje të mirë organizuar.
Komedianët e kanë telefonuar kryeministrin Zaev në zyrë dhe janë shtirur si ish-presidenti ukrainas, Petro Poroshenko dhe sekretari i Përgjithshëm i NATO, Jens Stoltenberg.
Kjo telefonatë është bërë disa kohë më parë, por të martën ajo është postuar në YouTube.
Pas, publikimit të telefonatës, opozita e Maqedonisë së Veriut ka kërkuar dorëheqjen e Zaev, pasi sipas tyre, në këtë telefonatë janë diskutuar çështje sekrete.
Në telefonatat e publikuara nga komedianët, Zaev ka biseduar me ta dhe për tema të nxehta si çështja e emrit me Greqinë, marrëdhënia Serbi-Kosovë, marrëdhëniet me Rusinë, NATO dhe BE.
Zaev në një konferencë për media ka thënë se ka pranuar se ka qenë viktimë e kësaj telefonate. “Pranoj se jam viktimë e transparencës dhe disponimit tim të vazhdueshëm ndaj të gjithëve”, ka thënë Zoran Zaev.
Zaevi ka pohuar se janë respektuar protokollet diplomatike, por ka treguar se kontraktimin e bisedave me vendet që janë të afërta i bëjnë drejtpërdrejt kabinetet. Por, jo rrallë ndodhë që funksionarët të komunikojnë edhe drejtpërdrejt.
Gjatë komunikimit të drejtpërdrejt, këshilltarët e Zaevit marrin shënime.
“Unë përkujtoj se nuk e kam për herë të parë, kam biseduar me Stoltenbergun, me Poroshenkon, me liderë të tjerë të vendeve partnere të RMV-së, dhe komunikimi i lidhur në njërën prej bisedave është përmes rrjetit fiks. Derisa jam në punë…. Unë jam në punë, është kërkuar nga gjoja presidenti Poroshenko që të vendosë kontakt me mua, jap termin në mes takimeve, atëherë kur edhe bisedoj. Pranë meje në të shumtën e rasteve qëndron një nëpunës, ky është Dane Talevski ose Bojan Mariçiqi ose një pjesë e këshilltarëve të tjerë të cilët mbajnë procesverbal, fillimisht procesverbal për t’u vendosur në arkivin e shtetit, por edhe që t’i njoftojmë mediat”, u shpreh kryeministri Zaev.