Zaevi: Gruevski do të ekstradohet në Maqedoni
Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev, ka hedhur poshtë para medieve të gjitha spekulimet se ka marrëveshje mes tij dhe ish-kryeministrit Nikolla Gruevskit për t’u larguar nga vendi.
Zaevi është shprehur i bindur se Nikolla Gruesvki herët a vonë do të kthehet në Maqedoni ku duhet të vuaj dënimin për veprën për të cilën është dënuar nga Gjykata, si dhe veprat e tjera që janë në procedurë gjyqësore.
“Kemi lëshuar fletë-arrest ndërkombëtarë, kërkojmë që të ekstradohet Nikolla Gruevski dhe të kthehet në Maqedoni”, ka thënë Zaevi.
Gjatë ditës së martë, ish-kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, ka thënë se ndodhet në Hungari ku ka kërkuar azil politik.
Gruevski në Maqedoni kërkohet nga policia për të vuajtur dënimin me burg prej dy vitesh për shpërdorim të detyrës zyrtare.
Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, ka thënë se Hungaria si shtet që është pjesë e Bashkimit Evropian, nuk guxon të lejojë që të shkelen marrëveshjet ndërkombëtare dhe se si një shtet pjesë e familjes evropiane, “nuk duhet të mbrojë një kriminel i cili i ka shkaktuar dëm shtetit dhe qytetarëve të Maqedonisë”.
“Është e palejueshme që një vend anëtar i Bashkimit Evropian të mos e respektojë sundimin e drejtësisë”, ka thënë Zaev duke shprehur besimin e tij se “Hungaria do të veprojë në përputhje me dispozitat e së drejtës ndërkombëtare dhe do ta ekstradojë Gruevskin në Maqedoni që ai të vuaj dënimin e caktuar nga gjykata”
Kryeministri i Maqedonisë, ka deklaruar se Gruevski është larguar nga Maqedonia duke ikur nga përgjegjësia dhe sipas tij, ai ka frikë të përballet me drejtësinë.