Zaevi: Kontesti me Greqinë zgjidhet me kalimin e sovranitetit në BE
Zgjidhja përfundimtare e kontestit rreth emrit me Greqinë mund të arrihet paralelisht me procesin e anëtarësimit të Maqedonisë në Bashkimin Evropian (BE), kur edhe sovraniteti i shtetit do t’i kalonte kësaj organizate.
Kështu ka deklaruar kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, në një intervistë për “Radion Evropa e Lirë”.
Ai ka thënën se deri në zgjidhjen përfundimtare, dy vendet mund të arrijnë një marrëveshje të përkohshme, apo një kornizë për një emër me përcaktim gjeografik, pa prekur në çështjet që kanë të bëjnë me identitetin.
“Ndoshta zgjidhja përfundimtare do të jetë e lidhur me votimin e qytetarëve Maqedonisë, duke i dhënë sovranitetin tonë Bashkimit Evropian, ku dëshirojmë të anëtarësohemi dhe atëherë hapet edhe Kushtetuta. Ndoshta këtu është zgjidhja, për shkak se siç e dini, Greqia kërkon edhe ndryshimin e Kushtetutës për ndryshimin e emrit kushtetues… Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras mund t’i shtrijnë duart dhe të arrijnë marrëveshje, por institucionet janë ato, të cilat e nxjerrin qëndrimin përfundimtar, sikur edhe qytetarët e të dy vendeve”, ka thënë Zaevi.
Zaevi ka thënë se tani është koha për zgjidhje. “Unë jam optimist. Optimizmi më udhëheq dhe besoj se kjo na ndihmon që të shikojmë me guxim, me kujdes dhe në mënyrë thelbësore në këtë proces serioz. Serioz, për shkak se ja, tani 27 vjet nuk u arrit zgjidhje. Besoj se tani është koha e vërtetë për zgjidhje dhe, falë Zotit, nuk jam vetëm pasi ka edhe optimistë të tjerë në shtet, para së gjithash ata që më ndihmojnë, shumica e qytetarëve në vendin tonë”, ka thënë Zaevi.
Më tutje, ai nuk beson se anëtarësimi i Maqedonisë në NATO do të rrezikojë ndonjë shtet tjetër, e në veçanti Rusinë, e cila disa herë është shprehur me tone kërcënuese se Shkupi mund të jetë shënjestër e Moskës në rast të anëtarësimit në NATO.