Zaevi: Ligji për gjuhët nuk dëmton askënd
Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, ka dalë në opinion me qëndrimin e tij zyrtar rreth votimit të Ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe zhvillimeve të mbrëmshme në Kuvendin e Maqedonisë.
Ai ka thënë se nga ky ligj civilizues nuk humb askush, dhe se nuk shkelet Kushtetuta, apo edhe amendamenti 5.
“Mbrëmë u votua Ligji për përdorimin e gjuhëve në Kuvendin e Maqedonisë. Ky ligj është kontribut serioz për ndërtimin e konceptit të një shoqërie për tërë qytetarët e Maqedonisë. Ky hap e pati mbështetjen në zgjedhjet e kaluara lokale dhe parlamentare. Kjo vlerë, ‘Maqedonia vendi i të gjithë qytetarëve’ është koncept dhe udhërrëfyes për të ardhmen tonë. U përcaktuam për politika që e ndërtojnë Maqedoninë si shtet qytetar për të gjithë që jetojnë aty, maqedonas, shqiptarë, turq, serbë, vlleh, romë, boshnjakë, si edhe të gjithë bashkësitë tjera”, ka thënë Zaevi.
Ai ka thënë se Ligji për përdorimin e gjuhëve është sjellë në Kuvend pas 17 vitesh.
“Askush nuk mundet të jetë mbi Kushtetutën. Me përparimin të drejtave për përdorimin e gjuhëve nuk humb askush, por mundësohen kushte për komunikim më të mirë ndërmjet qytetarëve dhe institucioneve. Komunikimi i papenguar i qytetarëve është përfitim civilizues. Njëkohësisht ky ligj në tërësi e garanton përdorimin e gjuhës maqedonase. Është koha t’i hedhim politikat e ndarjes, konflikteve dhe trazirave. Detyra jonë dhe përgjegjësia jonë duhet të jenë interesat e tërë qytetarëve pa përjashtim”, ka deklaruar Zaevi.