Zaevi: Ligji për gjuhët do të votohet këtë javë
Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, në takim me udhëheqësin e Këshillit të ministrave në Bosnje dhe Herzegovinë, Denis Zvizdiç, ka thënë se qytetarët e Maqedonisë do të lëvizin vetëm me letërnjoftim drejt Bosnjës.
“Deri tani kemi pasur marrëveshje me disa shtete fqinje për lëvizje vetëm me letërnjoftim por tani kemi marrëveshje edhe me Bosnjën dhe Hercegovinën për lëvizje të lirë të qytetarëve të të dy shteteve”, ka thënë Zaevi në konferencë për shtyp.
Ndërsa Denis Zvizdiç ka përshëndetur këtë marrëveshje, duke thënë se janë të hapur për të zhvilluar turizmin, ekonominë dhe tregtinë në mes të dy shteteve.
Zaevi gjithashtu ka folur për Ligjin për gjuhët në Maqedoni, duke thënë se i njëjti do të sillet për votim këtë javë.
“Të gjithë thanë atë çka duhet thënë për 10 muaj diskutim në Kuvend dhe jashtë. Do të sillet ky ligj këtë javë për të parë të gjithë se nuk dëmton askënd. Mesazhet që i thotë kryetari i opozitës maqedonase janë ‘copy-paste’ nga udhëheqësia e kaluar, pra nga Gruevski. Me sjelljen e këtij ligji ne e përmbushim edhe detyrimin e fundit të Marrëveshjes së Ohrit”, ka thënë Zaevi.