Zaevi: Maqedonasit duhet të pranojnë emrin e ri ose të përballen me izolim
Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev, ka thënë se qytetarët duhet të pajtohen të pranojnë emrin e ri të shtetit ose do të përballen me jostabilitet dhe izolim.
Në një intervistë për agjencinë “AFP”, Zaev ka kërkuar nga maqedonasit të votojnë pozitivisht në referendumin që do të vendos riemërimin e vendit me emrin “Republika e Maqedonisë së Veriut”.
Referendumi do të mbahet me 30 shtator si rezultat i marrëveshjes së arritur mes Maqedonisë dhe Greqisë, për t’i dhënë fund cështjes së emrit pas shumë dekadave, transmeton “Rel”.
Çështja e emrit mes Shkupit dhe Athinës daton që nga viti 1991, kur Maqedonia u nda nga Jugosllavia dhe deklaroi pavarësinë nën emrin Republika e Maqedonisë.
Greqia nuk është pajtuar me emrin Maqedonia, për shkak që sipas tyre, përfshin territorin e veriut të Greqisë me emrin e njejtë.
Për shkak të kundërshtimeve greke, Maqedonia është pranuar në Kombet e Bashkuara me një emër të përkohshëm Republika e ish-Jugosllavisë, Maqedonia.
Greqia, anëtare e NATO-s dhe Bashkimit Evropian kishte deklaruar se mund të ketë veto në rast të planit për anëtarësim të Maqedonisë në këto dy organizata.