Zaevi optimist për zgjidhjen e kontestit me Greqinë
Zhvillimet rreth Ligjit për përdorimin e gjuhëve kanë lënë në hije kontestin kryesor që ka Maqedonia me Greqinë për çështjen e emrit, nga zgjidhja e të cilit varet e ardhmja evropiane e vendit.
Megjithatë, debati pritet të rikthehet, pasi në fund të javës në Maqedoni pritet të arrijë në një vizitë shumë të rëndësishme, shefi i diplomacisë greke, Nikos Kotzias, së bashku me propozimin e Qeverisë greke për zgjidhjen e kontestit.
Jozyrtarisht është bërë me dije se Athina si zgjidhje të mundshme do të propozojë emrin Maqedonia e Epërme apo Maqedonia e Re
Pala maqedonase në pritje të kësaj vizite, nuk ka komentuar asgjë duke mbetur në qëndrimet e mëparshme se zgjidhja nuk duhet të përfshijë ndryshimin e Kushtetutës dhe se emri i ri, gjatë përdorimit ndërkombëtar, duhet të përkthehet në anglisht.
“Unë besoj se është e mundur që të ketë zgjidhje. Jam optimist, por vetëm nëse mbajmë llogari për dinjitetin dhe identitetin. Për mua është më rëndësi se si këtë do ta presë opinioni grek, se a do të pranohet nga institucionet e tyre. Unë nuk e di se si do të pranohet propozimi i tyre nga ana jonë dhe si do të kalojë në institucionet tona. Besoj se mund të bëhet një hap, ndoshta jo hapi final i zgjidhjes së problemit, por mirë është të bëhet një hap drejt arritjes së zgjidhjes. Ne duan që zgjidhja të arrihet gjatë kësaj vere”, ka deklaruar kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev.
Ndërkohë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sipas ambasadorit amerikan në Shkup, Jess Baily, me vëmendje janë duke e përcjellë procesin e bisedimeve dhe besojnë në arritjen e një zgjidhjeje të shpejt mes Shkupit dhe Athinës.