Kryeministri i Maqedonisë: Besimi në Ali Ahmetin është i madh
Raportet e partneritetit me Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI) janë stabile, besimi në mes meje dhe liderit të partisë, Ali Ahmeti është i madh.
Kështu ka deklaruar kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, kur është pyetur nga gazetarët në lidhje me stabilitetin e koalicionit qeverisës me BDI-në e Ahmetit.
“Jemi të vetëdijshëm se kemi kuadro të caktuar të dobët në radhët tona dhe prandaj flasim për ndryshimet dhe ata po ndodhin. Opinioni po i ndjek dobësitë dhe prandaj po ndodhin korrigjime edhe në LSDM edhe në BDI”, ka thënë Zaevi.
Ndërsa, duke komentuar të ashtuquajturat “bomba” nga bisedat e përgjuara të kinse personave të BDI-së të cilat dje janë publikuar në rrjetin social “Facebook”, Zaevi ka thënë se nuk ka dëgjuar se janë paraqitur “bomba” të reja dhe nuk mund t’i komentojë pasi siç ka theksuar, “nuk di nëse janë nga materialet e publikuara të cilat i posedonte LSDM ose janë të reja”.