Zaevi thotë se nuk kanë opinion të njëjtë me Kurtin për “Open Balkan”-in
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, në konferencën për media pas mbledhjes së dy qeverive ka thënë se me kryeministrin Kurti nuk e ndajnë opinionin e njëjtë për “Open Balkan”.
Pavarësisht kësaj, ai ka thënë se kjo nuk e pengon në bashkëpunimin ndërshtetëror.
“Sa i përket ‘Open Balkan’, kemi opinione të ndryshme por kjo nuk na pengon në bashkëpunimin bilateral mes dy vendeve. Unë mund të them se Kosova është e pavarur dhe i ka qëndrimet e veta”, ka thënë Zaev para gazetarëve.
Ndërsa kryeministri Albin Kurti, ka thënë se Kosova mbështet iniciativat rajonale që kanë BE-në brenda tyre.
“Ne dëshirojmë sa më shumë bashkëpunim dhe zbatim të marrëveshjeve në aspektin bilateral me Maqedoninë e Veriut, jemi të orientuar kah e ardhmja e për neve e ardhmja është Bashkimi Evropian. Pra, BE-ja është fati ynë. Si republikë e Kosovës ne i mbështesim iniciativat rajonale që janë nga Bashkimi Evropian . Asnjëra nga marrëveshjet e nënshkruara nuk mund të cenohen në zbatim pavarësisht dallimeve që mund të kemi”, ka thënë Kurti.
Më tutje, kryeministri Kurti, ka folur edhe për marrëveshjet e nënshkruara mes dy qeverive.
“Mbajtëm mbledhjen e përbashkët e cila është shprehje e vullnetit për të shënuar një etapë të re të bashkëpunimit të ndërsjellë. Deri tani kemi pasur 42 marrëveshje, sot nënshkruam 11 marrëveshje bashkëpunimi në ekonomi, bujqësi, turizëm, siguri, kontrollin e transportit hekurudhor, lidhjen e Brezovicës me ‘Kodrën e Diellit’, bashkëpunimi ndërkufitar”, ka thënë Kurti.