
Zafir Berisha dënohet me 600 euro gjobë, pranoi se kanosi Shaqir Totajn
Gjykata Themelore në Prizren të martën ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Zafir Berisha për veprën penale “kanosje”, duke e dënuar me 600 euro gjobë.
Ish-deputeti Berisha ka pranuar fajësinë për veprën penale me të cilën akuzohej.
Lajmin për Telegrafin e konfirmuan nga Gjykata Themelore në Prizren.
I akuzuari Berisha fillimisht është dënuar me dënim me burg në kohëzgjatje prej 6 muaj për kanosje përmes telefonit ndaj kryetarit të Prizrenit, Shaqir Totaj, por dënimi është zëvendësuar me 600 euro gjobë.
Në korrik të 2022-së, Prokuroria Themelore në Prizren kishte ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarit Zafir Berisha për veprën penale të “Kanosje”.
Referuar aktakuzës, në qershor të vitit 2022 i akuzuari Zafir Berisha me qëllim të frikësimit dhe shkaktimit të ankthit, seriozisht e kanos personin zyrtar në lidhje me punën e tij zyrtare, ku përmes telefonit i kishte dërguar sms-a të dëmtuarit Shaqir Totaj.