Zafir Berisha: Ramushi duhet të kërkojë falje për lapsusin e bërë
Anëtari i Kryesisë së Nismës Socialdemokrate dhe ish-komandant i UÇK-së, Zafir Berisha, ka reaguar ndaj deklaratës së lideri të AAK-së, Ramush Haradinaj i cili ka thënë se Hashim Thaçi dhe Rrustem Mustafa-Remi kanë qenë “turistë në luftë”.
“Nuk e di se në çfarë gjendje emocionale dhe shpirtërore ka mundur me qenë në atë moment, mirëpo Ramushi duhet të kërkojë falje për lapsusin e bërë! Qasja provinciale me mentalitet mesjetar për luftën e UÇK-së dhe eksponentët e saj, i ka mundësuar mbeturinave të Serbisë të kthehen në pushtet nën ombrellën e sektit të LVV-së”, ka shkruar Berisha në “Facebook”.
Ai ka thënë se Drenica, Llapi dhe asnjë zonë tjetër e Kosovës, nuk kanë qenë zona ku gjatë luftës ka mundur me qenë turistë…
“Lufta për sa e di unë nuk ka filluar më 24 mars 1999, sepse ata që u vranë para kësaj date duke përfshi edhe vëllanë e Ramushit nuk do të ishin heronj të UÇK-së. Ne që e kemi sulmuar milicinë e Serbisë 1993, dikush që dihet edhe 1992, nuk është korrekte të themi që Ramushi në atë kohë ka qenë duke punuar në ‘baushtellë’ në Zvicër!!! Me gjithë respektin për luftën që ka bërë Ramushi me familje dhe bashkëluftëtarët e tij në Dukagjin, nuk besoj që kjo i jep të drejtë atij me u shprehë për të tjerët kështu, veçanërisht në këtë kohë kur Serbia dhe argatët e saj në pushtet, nuk po lë gurë pa lëvizur për ta vënë në pikëpyetje luftën e lavdishme të UÇK-së dhe të arriturat e saj”, ka shkruar Zafir Berisha.