“Zajednica ka vdekur, ta ringjallësh është nacionalizëm serb”| Kurtit i kujtohen deklaratat e fuqishme kundër Zajednicës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pritet që nesër më 18 mars, t’i jap fund përfundimisht betejës së tij të gjatë kundër dialogut me Serbinë dhe kundër Zajednicës.
Ai pritet të pajtohet në Ohër me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, të arrijë marrëveshjen për planin franko-gjerman, në kuadër të të cilit parashihet se se do ta themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, të cilin sa ishte në opozitë e quante me emrin në versionin serbisht: Zajednica.
Për Albin Kurtin, rreziku nga Zajednica është i madh për Republikën e Kosovës. Sipas tij, themelimi i saj në Kosovë do ta rrezikojë ekzistencën e Republikës së Kosovës.
Në vazhdim këto janë disa nga deklaratat e fuqishme të Abin Kurtit kundër Zajednicës, të cilën tash është i gatshëm ta pranojë si kryeministër i Kosovës.
1. Zajednica është e keqja më e madhe e Kosovës së pasluftës. Zajednicën nuk mund ta pranojë dikush i cili nuk është serbofil. Vetëm nga pozita e një serbofilie mund ta pranosh Zajednicën dhe kjo po na ndodh tash. Kushdo që e argumenton pozitivisht Zajednicën është serbofil. Zajednica është Zajednicë e Serbisë për sebët sipas pikëpamjes së Serbisë, prandaj, edhe mbështetja e Zajednicës është serbofili.
2. Zajednica për Kosovën ëshë një kthim i Serbisë, i cili do të na e sjellë luftën për brezin e ardhshëm. Meqenëse, kur bëhen bashkë këto 10 komuna, një shtet brenda shtetit, atëherë, fëmijët tanë luftën e kanë te dera. Me këtë rast, jo vetëm kryeministri, por i gjithë populli i Kosoëës, jo vetëm kryeministri, por gjithë Qeveria e Kuvendi i Republikës do të duhej të shqetësoheshin për të gjithë fëmijët e Kosovës, jo vetëm për familjet e tyre, sepse me Zajednicën te dera ne e kemi luftën te dera.
3. Zajednica e instaluar në Kosovë nuk do të mund të hiqet pa gjakderdhje të reja. Nuk do të mund të hiqet. Gjakderdhja do të ndodhë, ta zëmë, në Novobërdë (Artanë) ku popullsia është 60% serbë e 40% shqiptarë. Shqiptarët kanë qenë shumicë, mirëpo Plani i Ahtisaarit, ia ka marrë një pjesë Gjilanit dhe një pjesë Dardanës apo Kamenicës dhe e ka trefishuar territorin e Artanës apo Novobërdës, në mënyrë që serbët të bëhen shumicë. Tash, çka të bëjnë ata 40% shqiptarë të Artanës? Ata i kanë dy mundësi kur të instalohet Zajednica, ose të shpërngulen, ose të ballafaqohen me pushtetin e Zajednicës. Unë mendoj që dikush edhe mund të shpërngulet, por jam i bindur se dikush edhe do të ballafaqohet.
4. Shqiptarët nuk do ta durojnë Zajednicën, sepse nuk do të mund ta durojnë. Shqiptarët nuk e kanë duruar Serbinë dhe nuk do ta durojnë as Zajednicën. Këtë e duron vetëm kjo qeveri, në krye me këtë kryeministrin aktual (Mustafa). Domëthënë, nuk ka shqiptarë që e duron Zajdenicën dhe shteti i Kosovës do të bëhet jofunksional.
5. Unë jam i bindur që Zajdenica ka vdekur. Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese thotë që secili nga 7 Kapitujt e Marrëveshjes Mustafa – Vuçiq, e shkelë Kushtetutën e Republikës së Kosovës në 23 Nene. Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës e ka vrarë Zajednicën. Përfundimisht e ka mbytur Zajednicën.
6. Zajednica është e vdekur. Mirëpo, kjo Qeveri po orvatet ta ringjallë. Të provosh ta ringjallësh Zajednicën do të thotë të përfundosh në pozicionin e nacionalizmit serb. Sepse, pas këtij Aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese, të insistosh edhe më tutje, të këmbëngulësh në Zajednicë, do të thotë të përfundosh në pozicionin e nacionalizmit serb.
Ndryshe, nesër, më 18 mars, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, në pritjen e organizuar nga Bashkimi Evropian, do të takohen kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
E në takimet me ndërmjetësues do të jenë të pranishëm edhe përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, bashkë me emisarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak. I pranishëm po ashtu do të jetë edhe i dërguari i ShBA-ve në Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Por çka pritet të ndodhë më 18 mars?
Shefi për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell gjatë ditës së djeshme ka thënë se është koha që palët të marrin përgjegjësi për të arritur sukses në dialog.
“Është koha për liderët e Kosovës dhe Serbisë dhe të gjithë Ballkanit Perëndimor të tregojnë kurajo dhe të demonstrojnë përgjegjësitë për të pasur sukses dhe pranimit në Bashkimin Evropian”, ka thënë Borrell.
“Këtë të shtunë, do të thërras një takim të nivelit të lartë të Dialogut Beograd-Prishtinë. Kjo kohë është ndryshe nga takimet e mëparshme. Jo vetëm sepse do të takoj Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe Kryeministrin e Kosovës Albin Kurti në rajon, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, në vend që të takohem në sallat e njohura të Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm në Bruksel. Por edhe sepse diskutimin tonë do ta fokusojmë në Aneksin e Zbatimit të Marrëveshjes së fundit të BE-së që do të rezultojë në normalizimin e gjerë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Të dyja së bashku, në thelb, do të rezultojnë në normalizimin e jetës së njerëzve në rajon dhe do të hapin rrugën përkatëse të Kosovës dhe Serbisë drejt anëtarësimit në BE”, ka thënë ndër tjerash Borrell.
Borell tha se kjo marrëveshje do i vendosë Prishtinën dhe Beogradin në një bazë më të qëndrueshme dhe të sigurt.
“Për sa i përket dialogut Beograd-Prishtinë, në 27 Shkurt patëm një mbledhje të nivelit të lartë në Bruksel që e organizova unë së bashku me presidentin Vuçiq dhe Kryeministrin Kurti. Ramë dakord që nuk nevojiteshin diskutime të mëtejshme për propozimin e Bashkimit Evropian. Ne konsiderojmë se gjuha e kësaj marrëveshje është e mbyllur.
Kjo marrëveshje sjellë shumë shpresë për normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit. Por një gjë është marrëveshja dhe tjetër gjë është si dhe kur zbatohet kjo marrëveshje. Ka pasur marrëveshje në të shkuarën të cilat nuk janë zbatuar ndonjëherë. Aktualisht është rënë dakord për marrëveshjen por po punojmë për zbatimin e saj.
Ky zbatim është një shtojcë që është pjesë e vetë marrëveshjes e cila do të detyrojë palët të sigurojë dhe të kenë të njëjtin kuptim sa i takon afateve dhe modaliteteve. Kjo marrëveshje i vendos Kosovën dhe Serbinë, më afër në një bazë më të qëndrueshme dhe siguron që dialogu do të vazhdojë me dialogun e gjithëpërfshirjes dhe do të shkojë përtej menaxhimit të krizave”, tha përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Europian Josep Borell.
Për pritshmëritë nga takimi i Ohrit, ka folur dje edhe, Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit dhe i dërguari i posaçëm i SHBA për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar nga Serbia ku ka pasur takime me krerët e shtetit, ka mbajtur një konferencë për mediat ku ka folur për pritshmëritë e tij nga takimi i Ohrit.
Escobar ka thënë se marrëveshja që tashmë ndodhet në tavolinë është një nga mundësitë më të mira për të çuar rajonin përpara.
Escobar, tha se mendon se është plotësisht e mundur të arrihet një marrëveshje përfundimtare për normalizimin këtë vit, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“Do të kisha dashur që këtë vit të arrihet, dhe mendoj se kjo është plotësisht e mundshme”, u shpreh ai.
Ai thekson se dëshiron që institucionet e Kosovës dhe Serbisë të jenë të lidhura me të gjitha strukturat evropiane.
“Kjo marrëveshje duhet të “hapë derën” sepse më në fund do të kemi normalizim”, vuri në dukje Escobar.
I dërguari special i SHBA-së tha se nuk pret që gjatë takimit në Ohër të ketë nënshkrime, por theksoi se do të hapet rruga për përparim të mëtejmë.
“Nuk pres që tani të ketë nënshkrime, por shpresoj për progres. Mundësitë do të ishin shumë pozitive për rajonin”, thotë ai.
Takimet e ndara do të fillojnë nga ora 10:00, ndërkaq takimi trilateral, është paralajmëruar pas mesditës.