Zambia në krizë kolere, të paktën 41 viktima
Presidenti i Zambias, Edgar Lungu, ka urdhëruar ushtrinë që të marrë kontrollin e situatës, pasi kolera ka mbërthyer vendin.
Deri më tani, njoftohet për të paktën 41 viktima dhe mijëra të infektuar. Lidhur me këtë, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka ngritur alarmin.
Në kryeqytetin e vendit, Lusaka, situata është më alarmante.
Pjesë e masave për të parandaluar përhapjen e sëmundjes, është edhe vendimi për të mbyllur baret, të gjitha tregjet e qytetit, restorantet si dhe të gjitha vendet e tjera publike që përbëjnë rrezik të madh, deri sa të arrihen të gjitha kushtet higjieno-sanitare.
Pak më parë ishte urdhëruar edhe mbyllja e tregut më të madh të kryeqytetit. Burime pranë qeverisë deklaruan për “Reuters” se në terren kanë zbritur rreth 1000 ushtarë.
Kriza filloi në fund të shtatorit të vitit të kaluar, dhe u duk sikur u ndal në muajin Tetor, për të shpërthyer sërish në fund të Nëntorit.