‘Zare’, Ilir Shaqiri në ‘Opera’: Tabani ADN-ja jonë! Arti i paraprin politikës, sot sikur vallëzoi gjithë Shqipëria, ajo natyralja që ne duam
Në teatrin e Operas dhe baletit, për dy net radhazi vihet në skenë entomuzikali premierë “Zare”, të cili i bashkohet edhe këngëtari i njohur Ilir Shaqiri. Artisti rrëfen për Report tv emocionet, nevojën për ruajtjen e tabanit si dhe nevojën e forcimit të bashkëpunimit mes artistëve të Shqipërisë e Kosovës
Besnik prej dekadash, ndaj skenave në Shqipëri, artisti Ilir Shaqiri iu ribashkua mbrëmjen e kaluar Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, me etnomuzikalin premierë “Zare”.
“Jam i kënaqur me prezencën e artistëve këtu, me punën që kanë bërë, përkushtimin maksimal të Xhanit dhe Kokerit, për realizimin e kësaj shfaqjeje”, thotë artisti Ilir Shaqiri.
Me pjesët muzikore të përzgjedhura nga Edi Xhani e koreografinë e Andrea Kokerit të sjella në skenën e Operas, këngëtari e shikon këtë shfaqje si një tentativë për të vënë në dukje vlerat tona të tabanit.
“Është letërnjoftimi ynë, ADN-ja jonë e kulturës, gjithçka fillon nga folku, siç thotë dhe Fishta, është rasa e mermertë e kombit, nga aty buron gjithçka. Dhe këta mjeshtra i sjellin këto këngë që kanë vënë vulën e vet nëpër vite e nëpër shekuj, sepse programi mbante këngë shumë të vjetra, por i kanë sjellë me një kostum të ri, qoftë nga ana muzikore ashtu edhe koreografike. Kjo është diçka e bukur! Mua mu duk sikur sonte vallëzoi e gjithë Shqipëria… Ajo Shqipëria natyrale, për të cilën bëjmë gjithçka dhe ne artistët”, thotë më tej këngëtari.
I angazhuar me muzikën, letërsinë e televizionin, rrëfen se me kohën është bërë edhe më selektiv kur flitet për t’iu bashkuar aktiviteteve kulturore, por arti tashmë është pjesë e pandashme e tij.
“Arti nuk të lë edhe po të duash nuk të lë”, thotë Shaqiri.
Shaqiri vlerëson ngjarjet kulturore që bashkojnë në një skenë artistë të Shqipërisë e ata të Kosovës.
“Ne e kemi filluar me kushte shumë të vështira në vitet ’90, kur vinim për të kënduar një këngë në Radiotelevizionin Shqiptar. E kemi bërë me shumë sakrificë atëherë. Tashmë s’ka më kufij, gjithçka mund ta bëjmë dhe duhet ta bëjmë”, shprehet artisti.
Artisti rrëfen se uniteti mes dy vendeve duhet jetë solid edhe në aspekte të tjera, qoftë dhe politike.
“Arti është i pari që depërton më së bukuri, që depërton në shpirtin e çdokujt. Pastaj, politika duhet ta bëjë të vetën”, shton ai.
Por, a është politika e të dyja vendeve duke ndjekur vijën e duhur për forcimin e unitetit?
“Arti paraprin, është gjithmonë më përpara! Por, gjithsesi mendoj se ardhmja është e përpara dhe është ajo që na takon!”, thotë ai.
Nën drejtimin artistik të Sokol Marsit, “Zare” ngjiti në skenë tri breza. Krahas artistëve të “Operas” e Ansamblit, shfaqjes iu bashkuan edhe të rinj nga bendi muzikor, balerinë të shkollës së baletit e grupi baletit IDAA. Premiera do të shfaqet edhe mbrëmjen e sotme.