Zarif viziton Brukselin në përpjekje për të shpëtuar paktin bërthamor
Ministri i Jashtëm i Iranit, Mohammad Javad Zarif, do të vizitojë sot Brukselin, në kuadër të turneut të tij botëror, për të kërkuar mbështetje për marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, në mes të Teheranit dhe gjashtë fuqive botërore.
Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar se janë tërhequr nga marrëveshja, e cila është nënshkruar në mes të Iranit, Rusisë, Kinës, Britanisë, Francës dhe Gjermanisë.
Zarifi do të takohet me shefen për politikë të jashtme të BE-së, Federica Mogherini dhe me homologët e tij nga Britania, Franca dhe Gjermania, në përpjekje për të shpëtuar marrëveshjen, e cila i mundëson Teheranit lehtësim të sanksioneve në këmbim të frenimit të programit bërthamor.
ShBA-ja ka akuzuar Iranin se ka shkelur marrëveshjen duke vazhduar testet e raketave balistike dhe mbështetjen e militantëve në Lindjen e Mesme. Irani ka theksuar se programi bërthamor ka qëllime paqësore.