Zbardhen detajet e reja nga Hamburgu: Pasi çau rrethimin, një person filloi të hidhte shishe molotov nga makina
Detaje të reja tronditëse janë zbardhur nga Policia e Hamburgut, pasi një person ka thyer perimetrin e sigurisë në aeroportin e Hamburgut, ku sipas raportimeve, ai po mban peng edhe fëmijën e tij 4-vjeçar në një makinë.
Në bazë të gjithë dinamikës së sjellë nga autoritetet gjermane, mësohet se personi, me një mjet tip Audi pa targë, ka thyer perimetrin e sigurisë dhe më pas rrethimin në Terminalin 1 të aeroportit.
Ai në drejtim të mjetit ka filluar ta ngasë atë drejt pistës së avionëve, ku gjatë rrugës ka hedhur edhe disa shishe që kanë shkaktuar zjarr, në formën e molotovëve.
Personi, në bazë të të dhënave nga autoritetet gjermane, është i armatosur rëndë dhe ka shtënë disa herë në drejtim të forcave policore.
Pak para se personi i armatosur të vihej re nga forcat e sigurisë në aeroport, gruaja e tij kishte lajmëruar policinë dhe kishte paralajmëruar oficerët në një telefonatë urgjente, se burri i saj po vraponte për në aeroport – me fëmijët.
Ndërsa për momentin, ai gjendet me fëmijën e tij të mitur peng, poshtë një avioni dhe nuk po kryen asnjë veprim.
Situata është tepër konfuze, me forca të shumta policie, të cilat ndodhen në vendngjarje me një kontigjent të madh.
Siç mësoi e përditshmja gjermane BILD, u kërkua edhe njësia spoeciale GSG 9, për ndërhyrje.
Në ajër janë edhe helikopterët e Policisë, për të gjurmuar personin e armatosur.