Zbardhet agjenda – Berisha flet i fundit në protestë, pjesë edhe LSI-ja

07 korrik 2022 | 17:15

Në orën 19:00, pritet zyrtarisht edhe nisja e tubimit të Partisë Demokratike përballë Kryeministrisë, në një protestë, e cila është lajmëruar të ketë përmasa të mëdha.

Sipas të dhënave të bëra me dije nga vetë Partia Demokratike, në total do të jenë 20 folës, por lista ende është e hapur dhe mund të ketë ndryshime të minutës së fundit.

Një emër, i cili bie në sy mes folësve, është ai i kryetares së Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi.

Kreu i demokratëve ndërkaq, Sali Berisha, pritet që fjalën e tij ta mbajë i fundit. Pra, rreth orës 21:00, nëse respektohet programi i paraqitur nga PD-ja, ku thuhet se tubimi do të zgjasë dy orë.

Nisja e Berishës në ecje drejt Kryeministrisë, pritet të nisë në 19:00, së bashku me anëtarë nga Forumi Rinor i Partisë Demokratike dhe Forumi demokrat i Gruas.

Grumbullimi i qytetarëve do të bëhet në katër pika kryesore.

Në sheshin Skënderbej, do të mblidhet një pjesë e mirë e protestuesve nga qytetet veriore të Shqipërisë, si edhe ata nga disa qytete jugore, të cilët kalojnë për nga terminali perëndimor i Tiranës.

Në sheshin Nënë Tereza ndërkaq, pritet të bëhet grumbullimi i disa qytetarëve të tjerë, kryesisht nga Korça dhe Elbasani.

Qytetarët e Tiranës, të cilët do të jenë edhe më të shumtit në numër, pritet të mblidhen bashkarisht në një vend, përgjatë lumit të Lanës, me disa eksponentë dhe grupime nga shoqëria civile.

Grupi i fundit ndërkohë, pritet të jetë pikërisht ai, i cili do të dalë nga selia e Partisë Demokratike.

“S’ka blind që e mposht protestën”

Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi në një konferencë për mediat u shpreh se opozita në protestën e sotme do të dëshmojë se ekziston.

Ai ju bëri thirrje qytetarëve që t’i bashkohen thirrjes së PD-së dhe të bëhen bashkë sot në orën 19:00 në mënyrë që zëri i tyre të dëgjohet.

“Informacionet tona në rrugë partiake dhe jopartiake, na bëjnë me dije se administrata e Edi Ramës është vënë në lëvizje për të penguar valën e madhe shoqërore që do të zbresë sot në Tiranë”.

Sipas tij, mësuesit janë urdhëruar  të jenë në punë, edhe pse sezoni shkollor ka mbaruar, ndrsa aktorëve u janë shpikur prova në Teatër, në mënyrë që zëri i tyre të mos gjëmojë në protestën e Frontit për Shpëtimin Kombëtar.

“Dyert e Kryeministrisë janë blinduar. As demokratët dhe as shoqërinë, nuk i ndal asnjë blindë, siç është provuar nga vitet ‘90 e këtej. Partia Demokratike u bën thirrje qytetarëve të mos tremben nga skenarët fake të qeverisë dhe as nga blindat”.

Këlliçi shtoi se “opozitës së kapur nga pushteti i ka ardhur fundi”.

“I bëjmë thirrje shqiptarëve, fermerëve, mësuesve, profesionistëve, të rinjve, të papunëve, të na bashkohen sot para Kryeministrisë. Nëse nuk pastroni para, por mezi u dalin paratë për fundin e muajit, është koha të ngrihemi”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
“Ministri” për Drejtësi në kuadër të “Qeverisë nën hije” të…