Zbardhja e fatit të personave të pagjetur, Kushtrim Gara: Këtë vit i kemi përfunduar 15 lokacione
Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për të Pagjeturit në kuadër të Qeverisë së Kosovës, ka thënë se këtë vit kanë arritur të gërmojnë në 15 lokacione me qëllim të zbardhjes së rasteve të personave të zhdukur me dhunë në luftën e fundit në Kosovë.
Ndonëse këtë vit e quan më dinamik në adresimin e informatave për gjetjen e personave të zhdukur, Gara është rezervuar për të dhëna shifra të personave që kanë arritur t’i identifikojnë. Ndërsa sfidë për ta mbetet mungesa e informacioneve të besueshme.
E që nga përfundimi i luftës e deri më sot, Komisioni Qeveritar për të Pagjeturit kanë arritur t’i kryejnë mbi 2 mijë e 700 lokacione në Kosovë.
Gara ka thënë se shkaku i kushteve atmosferike dhe sezonit të dimrit, aktualisht po hasin në vështirësi të adresimit të lokacioneve të reja.
“Edhe ky vit karakterizohet me një përpjekje dhe një angazhim në kuptim të adresimit të informatave me qëllim të realizimit të gërmimeve të nevojshme në lokacionet tanimë të shënuara në Republikën e Kosovës, karakterizohet vit me një dinamikë të jashtëzakonshme në adresimin e çdo informate që do të mund të kontribuonte në zgjidhjen e cilido rast të personave të zhdukur me forcë”.
“Sipas të dhënave që tani i kemi si institucione, gjatë këtij viti janë të paktën 15 lokacione të adresuara në kuptimin e gërmimeve vlerësuese. Tani për shkak edhe të sezonës së dimrit do të kemi vështirësi në rast të adresimit të lokacioneve me qëllim të gërmimeve por sigurisht se këtë fazë jemi duke punuar në kuptim të trajtimit të shqyrtimit të analizimit të të dhënave që kemi siguru gjatë këtyre muajve dhe pastaj për ndjekjen e procedurave për të siguruar urdhëresë nga gjykatat kompetente”, u shpreh Gara.
Gara thotë se kanë arritur t’i përfundojnë dhjetëra mostra të ADN-së të personave të zhdukur. Disa thotë se janë në përputhje me familjarë dhe se po presin t’i njoftojnë edhe familjarët.
“Nga eshtrat e zhvarrosura gjatë këtij viti janë dërguar me dhjetëra mostra për analiza të ADN-së në Komisionin Ndërkombëtar të Personave të Zhdukur, disa prej të cilave janë kthyer raporte të përputhshmërisë, mirëpo për shumicën e tyre jemi ende në pritje të rezultateve të ADN-së dhe sigurisht që rezultatet do t’i pranojmë gjatë vitit 2024 dhe do të veprohet me njoftimin e familjeve të personave të identifikuar”, thotë Gara.
E që nga përfundimi i luftës, ky Komision ka arritur që t’i kryejë më shumë se 2 mijë e 700 lokacione në tërë Republikën e Kosovës. Ndonëse këtë proces nuk dëshiron ta përkthejë në terma statistikor, Gara thotë se kanë arritur të gërmojnë në një perimetër prej katër kilometra katrorë.
“Edhe vitin 2023 por edhe vitet paraprake, sfidë në këtë proces jo vetëm në luftën e Kosovës por edhe në luftërat tjera në Evropë e më tutje, mbetet sfidë mungesa e informacioneve të besueshme. Edhe gjatë vitit 2023 por edhe viteve paraprake, Republika e Kosovës vazhdon të mbetet shembull në rajon dhe më gjerë për mënyrën e trajtimit të çdo informate që mund të kontribuonte në zgjidhjen e rasteve të personave të zhdukur.
Gjatë këtyre 25 viteve pas luftës, Republika e Kosovës brenda territorit të saj janë adresuar në kuptim të gërmimit vlerësues më shumë se 2700 lokacione që i bie në kuptim statistikor, i bie që çdo 4 km2 ka pasur një lokacion që ne e kemi gërmuar”, thotë Gara.