Zbignjev Herbert, kronikan i rrethimit apo dëshmitar i fatalitetit?

30 janar 2025 | 07:51

Nga: Noel Boci

Poeti polak Zbignjev Herbert [Zbigniew Herbert], në poezinë e tij Raport nga qyteti i humbur, na njeh në pamje të parë me një realitet historik sa polak, aq edhe botëror, në mos universal. Bëhet fjalë për rrethimin e një qyteti. Faktet e ndryshme historike dhe jeta e vetë autorit na bëjnë të supozojmë se qyteti në fjalë ndodhet në Poloni, dhe duke qenë se poeti e botoi poezinë në vitin 1983 në Paris, gjasat janë që flitet për Poloninë e viteve 1980-1981, e “rrethuar” nga të huajt dhe në gjendje lufte.

Megjithatë, leximi i poezisë na bën të mendojmë që Herberti nuk kufizohet vetëm te ky rast apo vetëm te kjo çështje, apo më saktë, e tërë ajo që lexojmë mund të jetë maskë e asaj që poeti vërtet do që të përçojë. Polonia ka kaluar edhe rrethime të tjera qytetesh. Madje, mund të mos kemi të bëjmë thjesht me një qytet. Mund të mos kemi të bëjmë as vetëm me një objekt konkret. Si poezi moderne, ajo sugjeron, nuk deklaron haptazi. Duhet të depërtojmë më me kujdes për të kuptuar të fshehtën e poezisë.

jam tepër plak që të ngjesh pushkën dhe të luftoj si të tjerët –
më ngarkuan për mëshirë rolin modest të kronikanit
shënoj – një zot e di për kë – historinë e rrethimit

Vëmë re që poezia është e ndërtuar nga këndvështrimi i një plaku, të cilin e kanë caktuar të jetë kronikan i rrethimit, dëshmitar i realitetit me të cilin po përballen. Toni na vjen pesimist, teksa plaku na tregon habinë e tij në lidhje me detyrën që i kanë ngarkuar. Pse dhe për kë do duhej dëshmuar rrethimi? Si ra, si nuk ra qyteti, ç’rëndësi do të kishte për njerëzit se ç’ndodhi me qytetin? Problemi i kujt është ky qytet i cili, edhe nëse nuk bie tani, do të mposhtet nga ndokush tjetër në të ardhmen, qoftë mposhtësi një armik apo vetë koha?

Siç e trajtuam pak më lartë, mund të mos jemi duke dëshmuar thjesht një rrethim. Rrethimi i qytetit nga të huajt mund të jetë rrethimi dhe/ose sulmimi i njeriut dhe shpirtit të tij nga forca të jashtme shqetësuese e kërcënuese.

lypset me qenë i saktë por nuk di kur nisi sulmi
dyqind vjet më parë në dhjetor shtator
a ndoshta mbrëmë ndaj të gdhirë
këtu të gjithë janë të sëmurë me humbjen e ndjenjës së kohës

Pasigurinë në lidhje me fillimin e rrethimit dhe kohëzgjatjen e tij mund ta shohim në dy këndvështrime: sipas njërit, kuptojmë që ngjarje të tilla janë më se të zakonshme dhe të shpeshta në historinë e njerëzimit sa edhe kronikani e ngatërron rrethimin e tanishëm me të tjerë të mëparshëm; sipas tjetrit, këndvështrim ky pak më introspektiv, nevoja e përhershme e njerëzimit për t’u vetëmbrojtur e për të mbijetuar e ngushton vetëdijen, aftësinë kuptuese njerëzore, brenda vetëm këtij impulsi, vetëm brenda këtij instikti mbijetese, sa çdo gjë tjetër kthehet në dytësore.

Para rrezikut të vdekjes (ndokush mund të thotë edhe para rrezikut të zhdukjes jo vetëm individuale, apo siç mund të jemi mësuar të themi, “të tharjes së farës”), frika nga të mosqenit dhe nga e mosnjohja e asaj që na pret vret çdo ndjesi dhe ide tjetër dhe njeriu humb kështu lidhjen që kishte deri pak më parë me aspektet e shumta të realitetit. Është si në ato rastet kur njeriu po kalon një sëmundje dhe nuk i intereson asgjë më shumë sesa të shërohet sa më parë. Çdo gjë tjetër, qoftë edhe më e rëndësishme apo qoftë ajo diçka që mund ta lumturonte njeriun, e humbet rëndësinë e vet përpara kësaj manie.

Kronikani (poeti) vazhdon e mban shënim shkurtimisht faktet e ndodhitë e çdo dite sikur të ishte duke mbajtur shënime mbi gjëra të rëndomta, siç mund të ishte qarkullimi i mallrave, prodhimet ditore në industri, etj. Nuk mund të themi që trajtimi tejet objektiv dhe jonjerëzor i veprimtarive njerëzore në kohë fatkeqësie nuk është i qëllimshëm nga poeti. Një teknikë e tillë e ndihmon poetin të denoncojë dehumanizimin e shoqërisë njerëzore, ku individët nuk janë më qenie njerëzore, por mjete pune, gurë shahu që përdoren nga “të mëdhenjtë”, misteriozë e të heshtur, për përfitimet e tyre. Ata nuk kanë emocione, ndjenja, ide, mendime… vetëm veshë për të dëgjuar urdhrat dhe krahë për t’i zbatuar ato. Jo më kot poeti, nën petkun e kronikanit të vjetër, “justifikohet”:

u shmangem komentarëve përmbaj emocionet shkruaj për faktet
më duket se vetëm ato vlerësojnë në tregjet jashtë shtetit

Individualja, subjektivja, bota e brendshme e njeriut… ato e humbin vlerën në sy të botës. E ç’i duhet botës ç’bëhet brenda mendjes dhe shpirtit të njeriut për aq kohë sa ky njeri nuk i nevojitet për asgjë më shumë se plotësimi i detyrimeve konvencionale? Madje në raste të tilla është mirë që ky njeri ta zhdukë emocionin, të mos e lërë të depërtojë tek ai. “Sa më pak njeri të jetë njeriu, aq më i dobishëm është ai” thotë Bota. Shpërfillja e mëparshme që i drejtohej fatit të qytetit të rrethuar, tani i drejtohet njeriut të tjetërsuar (shpesh të sendësuar).

Kjo nuk mbaron me kaq. Gjurmët e këtij “korruptimi” të qenies vihen re në vazhdimësinë e ekzistencës kolektive të qenieve. Me tone ironike, në poezi shkruhet:

por me një krenari të madhe qejfi ma kish t’i rrëfej botës
se falë luftës kemi edukuar një varietet të ri fëmijësh
fëmijët tanë nuk i duan përrallat luajnë veçse me vrasje
në ëndërr dhe zhgjëndërr ëndërrojnë për supë bukë dhe kocka
krejt si qentë dhe macet

Dehumanizimi ka hyrë thellë në ekzistencën e qenieve njerëzore sa bëhet pjesë e trashëgimisë. Përthithja dhe brendësimi i sulmeve të jashtme nga qenia “e rrethuar” përcillen herët a vonë te secili prej nesh, boll që të jemi mjaftueshëm të ekspozuar ndaj sulmeve dhe terroreve tjetërsuese të botës së gjërave, dhe në mënyrë të pavetëdijshme ato kthehen në një domosdoshmëri për të mbijetuar në horrorin e përditshëm. As qenia më e pafajshme nuk i shpëton këtij fataliteti, duke na kujtuar heronjtë e tragjedive klasike, të cilët vuajnë për mëkatet e paraardhësve të tyre.

mbrëmjeve ma ka ënda të bares kufinjve të Qytetit
përgjatë sinoreve të pasigurta të lirisë sonë

Përherë e më shumë bëhet e kuptueshme që qyteti i rrethuar qenka në të vertetë një metaforë e njeriut modern të shqetësuar e plot ankth në një botë problematike më shumë se thjesht një qytet i rethuar nga armiqtë. Ky njeri mundohet sado pak të lirohet nga klima mbytëse që e “rrethon” ngado, por kjo duket se ndodh “mbrëmjeve”, pra në fshehtësi, larg të tjerëve, thellë në nënvetëdijen njerëzore…

rrethimi vazhdon aq gjatë armiqtë si duket ndërrohen
asgjë të përbashkët nuk kanë përpos babëzinë për vdekjen tonë
(…) ngjyra e flamujve të tyre ndërrohet si pylli në horizont –

Luftërat, rrethimet, pushtimet, diktaturat… kjo mori gjak-dhe shpirtderdhjesh ka vazhduar e do vazhdojë. Jo më kot ka lindur shprehja “Historia përsëritet”. Ndryshon forma, por jo përmbajtja. Në thelb është përherë njeriu ai që përfundon i humbur dhe i vuajtur, në pamundësi të ngrejë krye përballë absurditetit që zotëron në Botën e Objekteve. Jo më kot poeti shkruan që paqëndrueshmëria e rëndomtë e gjendjes shpirtërore zgjidhet ende prej fatit. Ne flasim për fatin si rregullator të jetës së njerëzve sikur të ishte një entitet abstrakt i gjendshëm vetëm në mitologji apo në veprat e letërsisë klasike. Megjithatë, duket se pesha e fatit mbi jetën tonë qenka më e madhe nga ç’mendonim, gjersa dukuri të tilla vazhdojnë e përsëriten kundër vullnetit e mirëqenies së njerëzimit (ose më saktë, shumicës së tij, popullit të thjeshtë e të mashtruar prej “rrethuesve”).

ata s’e kanë përjetuar rrethimin e gjatë sa përjetësia
ata që i ka pllakosur kobi janë prore të vetmuar

Kronikani-poet na njeh edhe me anën tjetër të medaljes: me “rrethuesit”, armiqtë. Duket se edhe ata pak njerëz të plotfuqishëm që marrin në duar fatet e njerëzve, duke i parë këta njerëz si asgjë më shumë se gurë shahu në lojën e tyre, janë vetë viktima të një fati akoma më të madh se ata, i cili u qëndron si kob mbi kokë e i tmerron me rrezikun e humbjes së pushtetit. Të mos harrojmë se edhe ata qenë pjesë e “të rrethuarve” më parë, dhe dehumanizimi e tjetërsimi i vazhdueshëm i shtyu që qoftë edhe grimca më e vogël e pushtetit që u ra në duar t’i kthente në “rrethues”, si shenjë hakmarrjeje ndaj jetës që u përgatiti fati më shumë sesa vetja e tyre.

dhe nëse Qyteti bie dhe dikush do shpëtojë
ai do ta bart në vetvete Qytetin udhëve të syrgjynit
ai do të jetë Qyteti

Ideja e parë që na krijohet nga këto vargje është ajo e ruajtjes së kujtesës së një të kaluare që qe dikur e gjallë; ideja e dëshmisë së asaj që ekzistoi, në luftë të vazhdueshme me harresën. Problemi nuk është vetëm humbja e kujtimit apo idesë së një qytetërimi apo kulture, por e kujtimit të një populli që ndoshta nuk është më, por që dikur bënte një jetë po aq normale sa ajo që bëjmë ne sot e kësaj dite, para se ta pllakoste fati i errët.

Në një këndvështrim tjetër, na sugjerohet edhe ideja se thuajse gjithmonë është dikush që detyrohet të mbajë peshën e asaj që ka kaluar masa e gjerë. Nga njëra anë përgjegjësi, nga ana tjetër vuajtje. Në thelb, përherë sakrificë. Diçka e tillë na kujton Krishtin, si ai i mbajti në vetvete mëkatet e tërë njerëzimit dhe si imazhi i tij na kujton pikërisht absurditetin e ekzistencës njerëzore.

U dashka përherë që dikush të gjendet në kufi mes të qenit shpëtimtar e t’u bërit kurban, të mbajë përgjegjësi më shumë nga ç’është parashikuar, të mbajë njëherazi fatet e të gjithëve, ide të cilën do e gjenim edhe tek autori grek Niko Kazanxaqis, veçanërisht në romanin e tij Krishti kryqëzohet përsëri. Autori lëshon thirrjen:

Po mbushen gati dymijë vjet dhe hala… hala po të kryqëzojnë. Kur do të lindësh, o Krisht, që të mos kryqëzohesh më, e të rrosh midis nesh me shekuj?

Poezia mbyllet me vargjet:

e shohim në fytyrë zjarrin dhe urinë dhe vdekjen
dhe atë mënxyrën e mënxyrave – fytyrën e tradhëtisë
Dhe sall ëndrrat tona janë të pamorta

Ëndrrat e pavdekshme për të cilat flet poeti kanë të bëjnë me atë kujtim të zymtë që qëndron mes kufijve të vetëdijes dhe nënvetëdijes; atë kujtim që e jeton çdo individ e çdo popull e të cilin e trashëgojmë pafundësisht brez pas brezi; atë kujtim që ngelet plagë e përhershme në shpirtrat e njerëzve.

Kështu, ajo që në fillim na u duk thjesht kronikë apo raport i një qyteti të rrethuar del që është dëshmi e një realiteti të trishtë të një historie të pambarimtë. /Gazeta “ExLibris”/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
A ju rastis ndonjëherë që gjatë kohës që jeni duke…