“Zbrazet” Kosova, më shumë se 36 mijë qytetarë shkojnë në Shqipëri në 24 orët e fundit
Fundjava e fundit e gushtit duket se ka zbrazur Kosovën. Me mijëra automjete e qytetarë janë nisur që në orët e para të mëngjesit drejt bregdetit, duke sjellë ngarkesë të trafikut në “Rrugën e Kombit”.
Kolona e automjeteve mësohet se i ka kaluar 6 kilometra këtë mëngjes në dy korsi.
Të dhënat zyrtare të policisë kufitare për këto 24 orë, flasin për më shumë se 36 mijë qytetarë të Kosovës që kanë hyrë në Shqipëri përmes pikës kufitare të Morinës me të paktën 10 mijë e 200 automjete.
Siç dihet përgjatë sezonit, policia kufitare operon me procedurën e kalimit të kufirit pa kontrolle, siç është marrëveshja e përbashkët mes qeverive.
Kujtojmë pos Morinës, shumë qytetarë të Kosovës po presin në radhë për të lëshuar Kosovën përmes pikë-kalimit kufitar të Merdarit.
Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar, pritjet për të dalë nga Kosova përmes pikë-kalimit kufitar në Merdar mëngjesin e hershëm të së shtunës shkojnë deri në dy orë.
Sipas këtyre raportimeve bëhet e ditur se bashkatdhetarët po presin në një kolonë prej 1000 metrash.
/Abcnews.al/