Zbulohen mesazhet e Salas: U interesojnë vetëm paratë, nuk dua të shkoj në Cardiff
Vazhdon të trondisë historia e Emiliano Sala, i cili humbi jetën gjatë një udhëtimi nga Nantes në Cardiff, ku do të transferohej. Avioni i tij humbi nga radarët dhe ai u gjet në fund të detit. Rreth 3 muaj më vonë, edhe babai i tij, Horacio humbi jetën nga një goditje në zemër. Ai akuzoi se Cardiffi e la djalin e tij të vdiste si një qen.
Ka qenë prestigjozia franceze “L’Equipe” e cila në një dokument të publikuar ka zbuluar mesazhet tronditëse që Sala i dërgonte një të afërmi të tij. Aty zbulohet se argjentinasi nuk donte të transferohej.
“Fola mbrëmë me agjentin, më tha që Frank Kita, i biri i presidentit Kita, i kishte thënë se duan të më shesin. Ata kanë marrë një ofertë nga Cardiffi. Kanë vendosur një çmim të lart, megjithatë ata kanë pranuar. Është kontratë e mirë, por jo interesante për mua. Ata duan të shkoj me çdo kusht. Nuk kam frikë sepse jam mësuar me sfida gjithë jetën time. Shpresoj që agjenti të gjejë diçka më të mirë. Nuk dua ta shoh Kita sepse acarohem. Do që unë të shkoj në Cardiff, i interesojnë vetëm lekët, pa më pyetur se çfarë dua unë. Më duhet ta shoh përditë surratin e tij”, ishin disa nga mesazhet e dërguara nga Sala. Kujtojmë se Kita është presidenti i Nantes dhe Sala shpreh qartë dëshirën për të mos shkuar te Cardiffi.