Zbulohen rrathët olimpikë
Komiteti Olimpik i Kosovës ka shënuar Ditën Olimpike dhe me këtë rast janë zbuluar rrathët olimpikë. Kryetari i KOK-ut, Besim Hasani, ka vlerësuar se kjo ditë e gjënë Kosovën në pozitë të mirë, pasi shumë sportistë i kanë siguruar normat olimpike.
Komiteti Olimpik i Kosovës ka shënuar 23-qershorin – Ditën Olimpike, me ç’rast ka zbuluar rrathët olimpikë. Në këtë ceremoni të pranishëm, përpos Hasanit, ishin edhe ministrja për Kulturë, Rini dhe Sport, Vlora Dumoshi dhe drejtori i Departamentit të Sportit, Ibër Alaj.
Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, gjatë kësaj ceremonie është shprehur se kjo ditë e gjen Kosovën në një çast mjaft të mirë duke marrë parasysh numrin e normave olimpike të fituara nga sportistët e Kosovës. “Dita Olimpike lidhet me themelimin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, më 23 qershor në vitin 1894, është themeluar Komiteti Olimpik për ringjalljen e Lojërave Olimpike moderne dhe nga atëherë çdo katër vjet mbahen Lojërat Olimpike, përjashtimisht gjatë dy luftërave botërore dhe këto të fundit që janë shtyrë por, pavarësisht nga kjo, kjo ditë e gjen Kosovën në një moment shumë të mirë, ku kemi pesë norma olimpike nga xhudo, kemi normën olimpike edhe nga mundja, por normalisht që presim edhe nga ndonjë sportist tjetër të ketë normë olimpike dhe të përfaqësohemi sa më mirë në Lojërat Olimpike 2020 të cilat do të mbahen në vitin 2021”, ka thënë Hasani.
Ndërsa ministrja Vlora Dumoshi u shpreh se rrathët olimpikë kanë pasuruar edhe më shumë Prishtinën pasi, sipas saj, kanë një vlerë të madhe për sportistët dhe të rinjtë kosovarë.
“Ky është një moment i jashtëzakonshëm. Sot më 23 ne po shënojmë Ditën Botërore të Olimpiadës. Kjo do të thotë shumë se si ne si shtet, si komunitet olimpik në krye me Hasanin, u rrimë gati këtyre ngjarjeve të cilat japin përtej mesazhe për zhvillimin e sportit, për zhvillimin e sportit në përgjithësi. Tashmë ne jemi pjesë e olimpiadës, ku kemi sportistë të shkëlqyer dhe ata do të jenë figura kryesore që do t’i frymëzojnë të rinjtë e tjerë. Kjo skulptura sot, megjithëse i ka ngjyrat më të bukura, Prishtina është fisnikëruar me një monument siç janë rrathët e olimpiadës të cilët kanë mesazh për zhvillimin e sportit për paqe në vende të ndryshme të botës”, ka thënë Dumoshi. Kujtojmë që shkak të problemeve me pandeminë globale Covid-19, Dita Olimpike po shënohet ndryshe nga vitet e kaluara.