Zbulohen udhëzimet që kanë marrë protestuesit para mitingut të Vuçiqit
Mediet e pavarura në Serbi kanë arritur deri te një dokument i njërit prej komiteteve të Partisë Përparimtare Serbe (SNS e Vuçiqit), në të cilin janë shënuar emrat, roli dhe çmimi i detyrave të “protestuesve” në kundërmitingun e Aleskandar Vuçiqit.
Në dokumentin e titulluar “Aktivistë të besueshëm për mitingun në Beograd” janë 13 emra dhe role të ndara në “bartës të flamurit të SNS-së” dhe “vikarë”. Katër flamurtarët nga lista do të paguhen 1700 dinarë (15 euro) për kokë për bartjen e flamurit, të cilat do t’i shtohen ditores tashmë të dakorduar, e cila, varësisht nga pjesa e Serbisë nga e cila do të transportohen për në miting, variojnë nga 2000 deri 5000 dinarë (17 deri në 43 euro).
Nëntë të tjerët janë emëruar si “vikarë”. Megjithatë, titulli, i cili mbahet kryesisht nga ndihmës priftërinjtë, në kontekstin e SNS nënkupton njerëz, detyra e të cilëve do të jetë të bërtasin parulla të porositura, për 1500 dinarë. Sipas udhëzimeve të shkruara, katër prej tyre do të thërrasin sipas urdhrit “Aco, srbine” (Aleksandar, he serb), ndërsa tre janë përgjegjës që në momentin kyç të bërtasin “Ashtu është!”.
Dy emrat e fundit në listë i përkasin femrave dhe ato kanë për detyrë të thërrasin “Uh, fashistë”, me të njëjtin çmim si “vikarët” e tjera.
Mirëpo, ndryshe nga kolegët e tyre që, siç thuhet në dokument, duhet të bërtasin dhe duartrokasin, “vikarët” antifashistë janë të çliruar nga ky detyrim.