
Zbulohet emri i ekipit ku dëshiron të luajë Muriqi
E ardhmja e Vedat Muriqit ka mbetur ende pezull. Sulmuesi nga Kosova e ka kaluar një gjysmë sezoni fantastik në Mallorca, ku kishte realizuar 5 gola dhe 3 asistime në 16 ndeshje me klubin spanjoll.
Dhe, është pikërisht La Liga ku dëshiron të rikthehet përfaqësuesi i Kosovës.
Prizrenasi shpreson të gjendet një marrëveshje dhe të rikthehet në klubin ishullor, aty ku e duan shumë tifozët pas një gjysmë sezoni të kaluar në formë huazimi.
Sipas mediave italiane, Mallorca është ende e interesuar për 28-vjeçarin.
Lazio do ta presë klubin spanjoll edhe 3-4 ditë para se të nisin bisedimet në mes të klubeve. Lazio shpreson që oferta e Mallorcas të arrijë në 10 milionë euro plus bonuset.
Kurse, Mallorca për momentin shkon deri në 7 milionë plus bonuset. Ndërkohë, Lazio është duke pritur edhe Club Bruggen, aty ku Muriqi nuk i kishte kaluar vizitat mjekësore, por që lazialët besojnë se në tentimin e dytë s’do të ketë probleme në këtë drejtim.
Klubi belg i ka ofruar paratë që do ta kënaqnin Lazion. Aktualisht, Muriqi është jashtë ekipit të Lazios dhe është duke ushtruar i vetëm. Ish-futbollisti i Fenerbahçes ka kontratë me klubin italian deri në vitin 2025, por palët do të ndahen gjithsesi gjatë kësaj vere. Muriqi i kishte realizuar vetëm 2 gola dhe i kishte bërë 2 asistime për një vit e gjysmë në Itali. Lazio e kishte blerë atë për afro 20 milionë euro në verën e vitit 2020.