Zbulohet “formacioni” i Edi Ramës, kjo është lista e kandidatëve të PS-së për zgjedhjet e 14 majit
Kryesia e Partisë Socialiste do ta vulosë të shtunën skuadrën socialiste për 14 majin. Por ABC News ka mësuar pothuajse të gjithë listën e kandidatëve që do të futen në garë, për të cilën është punuar gjatë në selinë rozë, me sondazhe dhe testime. Por jo për të gjithë emrat, vlejnë të njëjtat parime.
Tipari i përgjithshëm i kësaj liste është mungesa e risive. Edi Rama do të konkurojë në masë dërrmuese me kryebashkiakët aktualë. Shembulli më i mirë për këtë është Tirana, ku debati nuk është më shumë te kryetari, sesa te këshilli. Ndërsa në qark nuk ka dilema, nga Kamza e deri në Rrogozhinë.
Në Elbasan dominojnë të njëjtët emra, ndërsa për bashkinë e Gramshit garon Besjan Ajazi, një nga pak deputetët që Rama ka toleruar që të lënë përgjysmë mandatin e deputetit. Në Peqin Bukurosh Maci është oferta e re e selisë rozë, ndërsa në Librazhd, trashëgimia e Taulant Ballës, Kastriot Gurra nuk do të rikandidojë. Emrat që po diskuton Damian Gjiknuri dhe Edi Rama, janë Mariglen Disha dhe Ermal Kurti.
Deputeti tjetër që lë mandatin, Benet Beci po punon fort që ta fitojë Shkodrën, dhe aleatët në krah nuk po i mungojnë, përfshirë dhe Tom Doshin. Në Vaun e Dejës një tjetër i preferuar i PSD-së, do të kandidojë nën logon socialiste: Kristjan Shkreli. Të tjerët janë rikandidues.
Në qarkun Berat, veç tri rikandidimeve të Ervin Demos, Adriatik Memës dhe të përjetshmit Adriatik Zotkaj, janë ende të pavendosura garuesit për Kuçovën dhe Dimalin.
Në qarkun Korçë nuk do të bëhen eksperimente. 6 bashki, 6 rikandidime. Madje as Gëzim Topciu në Maliq nuk do të rifreskohet, edhe pse tashmë karrigia e tij si kryebashkiak, ka kaluar moshën e një çerek shekulli.
Në Gjirokastër ka vetëm një emër të ri, në Libohovë, me Leonard Hiden. I gjithë qarku do të përsërisë ofertën e 2019-ës.
Në qarkun Lezhë, i vetmi për të cilin po mendohet gjatë nëse do ta rikandidojnë apo jo është Ndrec Deda në Mirditë, ndërsa nuk ka surpriza për Pjerin Ndreun dhe Majlinda Carën.
Në qarkun Kukës Safet Gjici dhe Rexhë Byberi do te përpiqen të rimbajnë karriget, por jo si ne 2019, kur fituan pa rivale, ndërsa Halit Muja është një kandidat i ri për Hasin.
Qarku Dibër nuk kishte surpriza nëse Lefter Alla nuk do të ishte arrestuar nga SPAK. Në këto kushte, një emër i ri do kandidojë për Bashkinë Bulqizë. E sigurt është që për drejtuesit, as emri i ri nuk është surprizë.
Pjesët bosh janë plotësuar edhe në qarkun Vlorë.
Më shumë se sa eleminimi i paralajmëruar i Dritan Lelit, interesante është pyetja se ke përfaqëson brenda socialistëve, kandidatura e re.
Ambasadori aktual në Dubai, Ermal Dredha që pritet të jetë kandidati zyrtar i PS-së, thuhet se ka pas mbështetjen edhe të Gramoz Rucit. Hija e rëndë e ish-senatorit të fundit ndjehet edhe në Sarandë, aty ku do të kandidohet Olti Caci, një sipërmarrës në fushën e hotelerisë. Selenicës do t’i prezantohet Dhimitër Kapaj, ndërsa në Himarë, Jorgo Goro do të rikandidojë, se paku deri sot, ku nuk është bërë publik një emër tjetër.
Me të njëjtat fytyra konkurron edhe qarku Durrës, me kampionët e Edi Ramës në Rindërtim, Emiriana Sako e Elton Arbana, ndërsa i pandarë ende është çështja e Krujës, mes Artur Bushit që sërish aspiron, dhe Rrahman Rrajës që nuk i hyri kurrë në sy Edi Ramës, por edhe SPAK-ut, që nuk ka kursyer nga hetimet, apo burgu, nipat e tij.
E vetmja surprizë në Fier, ku 4 kryebashkiakët rikandidojnë, ishte bashkiaku i Mallakastres Qerim Ismaili, të cilin Gjykata Speciale e dënoi pak më parë me 6 muaj burg.
Në zgjedhjet pa garë në 2019, socialistët të vetëm garë që patën, duke e humbur, ishte me dekriminalizimin. Ligji i posaçëm i miratuar ne 2015 për pastërtinë e kandidateve, i këputi kokën tre kryebashkiakëve, njëri prej të cilëve, ai i Shkodrës, as nuk arriti dot të futet në zyrë. Dhe ndërsa në 14 maj, kanë përballë një opozitë të dobësuar nga përçarja, kandidimi sërish i një personi me precedentë penale nga socialistët, bëhët edhe më i pakuptimtë.
TIRANË
Bashkia Tiranë – Erion Veliaj
Bashkia Kamëz – Rakip Suli
Bashkia Kavajë – Redjan Krali
Bashkia Vorë – Blerim Shera
Bashkia Rrogozhinë – Edison Memolla
ELBASAN
Bashkia Elbasan- Gledian Llatja
Bashkia Belsh – Arif Tafani
Bashkia Cërrik – Andis Sala
Bashkia Gramsh – Besjan Ajazi
Bashkia Librazhd – Mariglen Disha/Ermal Kurti
Bashkia Prrenjas – Nuri Belba
Bashkia Peqin- Bukurosh Maci
BERAT
Bashkia Berat – Ervin Demo
Bashkia Kuçovë – E papërcaktuar
Bashkia Poliçan – Adriatik Zotkaj
Bashkia Skrapar – Adriatik Mema
Bashkia Ura Vajgurore – E papërcaktuar
DIBËR
Bashkia Bulqizë – E papërcaktuar
Bashkia Peshkëpi – Rrahim Spahiu
Bashkia Klos – Ilmi Hoxha
Bashkia Mat – Agron Malaj
VLORË
Bashkia Vlorë – Ermal Dredha
Bashkia Selenicë – Dhimitër Kapaj
Bashkia Delvinë – Majilinda Qilimi
Bashkia Finiq – Kristo Kiço
Bashkia Himarë – Jorgo Goro
Bashkia Konispol – E papërcaktuar
Bashkia Sarandë – Olti Caci
KORÇË
Bashkia Korçë – Sotiraq Filo
Bashkia Kolonjë – Erion Isai
Bashkia Devoll – Eduard Duro
Bashkia Maliq – Gëzim Topçiu
Bashkia Pogradec – Ilir Xhakolli
Bashkia Pustec – Pali Kolefski
FIER
Bashkia Fier – Armando Subashi
Bashkia Divjakë – E papërcaktuar
Bashkia Lushnje – Eriselda Sefa
Bashkia Mallakastër – Qerim Ismailaj
Bashkia Patos – E papërcaktuar
Bashkia Roskovec – Majlinda Bufi
GJIROKASTËR
Bashkia Gjirokastër – Flamur Golemi
Bashkia Tepelenë – Tërmet Peçi
Bashkia Dropull – Dhimitraq Toli
Bashkia Këlcyrë – Klement Ndoni
Bashkia Libohovë – Leonard Hide
Bashkia Memaliaj – Gjolek Guci
Bashkia Përmet – Alma Hoxha
DURRËS
Bashkia Durrës – Emiriana Sako
Bashkia Krujë – E papërcaktuar
Bashkia Shijak – Elton Arbana
SHKODËR
Bashkia Shkodër – Benet Beci
Bashkia Fushë-Arrëz – Franc Tuci
Malësi e Madhe – Tonin Marinaj
Bashkia Pukë – Gjon Gjonaj
Bashkia Vau i Dejës – Kristjan Shkreli
KUKËS
Bashkia Has – Halit Muja
Bashkia Kukës – Safet Gjici
Bashkia Tropojë – Rexhe Byberi
LEZHË
Bashkia Kurbin – Majlinda Cara
Bashkia Lezhë – Pjerin Ndreu
Bashkia Mirditë – E papërcaktuar.