Zbulohet kopja e Deklaratës Amerikane të Pavarësisë
Një ekip shkencëtarësh amerikanë dhe britanikë njoftuan se kishin certifikuar një kopje të shkruar në pergamenë të Deklaratës së Pavarësisë së SHBA-së, një dokument i rrallë i gjetur në arkivat e rajonit të Suseksit, në jug të Anglisë.
Ky dokument, që daton që prej viteve 1780, sipas studiuesve, është kopja e dytë e shkruar në pergamenë, e njohur tashmë si tekst politik nëpërmjet të cilit 13 koloni britanike të Amerikës së Veriut u ndanë më 4 korrik 1776, së bashku me atë të ruajtur në arkivat kombëtare amerikane në Uashington.
Kjo kopje u gjet vitin e kaluar nga dy shkencëtarë të Universitetit të Harvardit në arkivat e Suseksit, që ndodhet në qytetin e Chichester.
Pergamena i përkiste Charles Lennox, duka i tretë i Richmondit, i njohur me emrin “duka radikal” për mbështetjen e tij për revolucionarët amerikanë.
“Ekipi vazhdon të punojë për të mësuar kur dhe si mbërriti në Angli”, nënvizoi këshilli i rajonit të Suseksit, ku ndodhet Chichester.