Zbulohet lapidari për ish-ushtarin e UÇK-së Skënder Gashi
Kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, së bashku me bashkëpunëtorë, përfaqësues të OVLUÇK-së në Rahovec dhe familjarë, është bërë zbulimi i lapidarit të ish-ushtarit të UÇK-së major Skënder Gashit.
Kryetari Latifi ka thënë se Skënderi ishte ndër ushtarët e parë të lirisë, i cili la rehatinë dhe mirëqenien në Austri dhe u bashkua në radhët e çlirimtarëve në UÇK.
“Jeta dhe vepra e tij qenë mbushur me atdhedashuri dhe në çdo hap e veprim e dëshmoi këtë. Pjesëmarrës në shumë beteja të UÇK-së prej nga doli faqebardhë e i pathyer. Udhëhoqi me përgjegjësi njësitin që i ishte besuar, duke mos ju bërë bisht asnjëherë detyrave luftarake. Si komandant i logjistikës në njësinë e TMK-së në Sallagrazhdë, dëshmoi aftësi e kompetencë ushtarake. Skënder Gashi u vra pabesisht nga një dorë tinzare më 18 shtator 2000, duke lënë në kujtesë një mori veprash luftarake e organizative”, ka thënë Latifi.
Ai ka theksuar se eprori i TMK-së Skënder Gashi do të mbahet mend për punët e mëdha e fjalët e pakta.
“Dëshmorët kanë vetëm ditëlindje. Lavdi jetës dhe veprës së dëshmorit të lirisë Skënder Gani Gashit”, ka thënë Latifi.