
Zbulohet letra e Maradonas: Ja çfarë duhet të bëni me trupin tim pas vdekjes
Një letër e nënshkruar nga Diego Armando Maradona më 13 tetor dëshmon se legjenda e Argjentinës dhe Napolit kishte kërkuar që trupi i tij të balsamohej dhe të ekspozohej në një muze. Maradona e kishte shprehur këtë amanet në një letër që ia kishte dërguar avokatit të vet, Matias Morla.
Letra e tij është publikuar nga tabloidi britanik “The Sun”. “Pas një analize të thellë, dua ta shpreh dëshirën që pas vdekjes sime, trupi im të balsamohet dhe të ekspozohet në muze, i rrethuar nga trofetë e mi”, shkruhet në letër.
Maradona vdiq më 25 nëntor nga një sulm në zemër. Mario Baudry, avokati i partneres së fundit të Maradonës, Veronica Ojeda, ka deklaruar: “Plani është ta krijojmë një mauzole diku që tifozët ta vizitojnë. Kjo është diçka për të cilën kishte biseduar edhe Maradona me vëllezërit e vet”.