Zbulohet mesazhi i fundit i Astorit në “Whatsapp”
Bota e futbollit u trondit dje nga vdekja e papritur e kapitenit të Fiorentinës Davide Astori, i cili pësoi një sulm kardiak. Disa nga ndeshjet e Serisë A, mes të cilave edhe derbi Inter-Milan u shtynë pas lajmit të rëndë.
Ndërkaq sot mediet italiane kanë publikuar bisedën e fundit në “Whatsapp” që Astori pati me shokun e skuadrës, portierin Marco Sportiello.
Davide Astori kaloi mbrëmjen e tij të shtunën e kaluar në Hotel Là di Moret në Udine. Një mbrëmje në shoqërinë e mikut të tij Marco Sportiello i cili ishte i fundit që e shihte atë gjallë dhe i duhej t’i tregonte hetuesve për bisedat mes tyre.
Pas konsumimit të darkës, Astori shkoi për t’u qetësuar në dhomën e hotelit. Në orën 23:34 ishte mesazhi i tij i fundit që shkroi në telefon duke komunikuar me portierin e Fiorentinës. Sportiello i shkruan në “Whatsapp” Astorit: “Ti harrove këpucët te unë”. Ndërkaq i ndjeri i përgjigjet: “Faleminderit, tani nuk më duhen këpucët, do vij t’i marr në mëngjes”.