
Zbulohet pllaka përkujtimore e viktimave të vrarë gjatë luftës në Suhadoll të Poshtëm
Në Suhadoll të Mitrovicës të dielën është bërë zbulimi i pllakës përkujtimore, në nderim të 12 viktimave shqiptarë të vrarë nga shteti serb gjatë luftës së fundit në Kosovë 1998/1999.
Në ceremoninë e zbulimit të kësaj pllake të pranishëm ishin, kryetari i komunës, Agim Bahtiri, nënkryetari Faruk Mujka, ministri për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, Faton Peci, ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK-së, Ahmet Isufi, si dhe familjarë e qytetarë tjerë.
Me këtë rast, kryetari Bahtiri para të pranishmëve ka thënë se familjet e dëshmorëve duhet të ndihen krenarë për të rënët në liri.
“Sot me rastin e përurimit të kësaj pllake përkujtimore, nderojmë luftëtarë dhe atdhetarë të devotshëm të cilët dhanë jetë e tyre për liri e pavarësi të vendit. Kjo pllakë është ajo më e pakta çka e kam bërë si kryetar, mirëpo ne si institucione duhet të punojmë që ta realizojmë amanetin e dëshmorëve për një shtet të zhvilluar ekonomikisht, dhe për një të ardhme më të mirë”, ka thënë Bahtiri.