Zbulohet pllaka përkujtimore kushtuar demonstratave të ’68-ës
Dëshmorët e kombit duhet t’i kujtojmë, t’i ngremë në piedestalin më të lartë. Këtë e bëjmë vetëm duke i përkujtuar dhe në këtë mënyrë i përjetësojmë ata.
Kështu u tha në zbulimin e pllakës përkujtimore që u bë në sheshin “Edit Durham” në Prishtinë për demonstratat e vitit 1968 që u bënë kundër okupatorit serb.
Ish i burgosuri politik dhe pjesëmarrës në ato demonstrata, Binak Ulaj, tha se në demonstratat e vitit 1968 dominoi kërkesa për Republikë.
Sipas tij, ato ishin masovike dhe të organizuara mirë. Ai theksoi se me anë të kësaj pllake përkujtimore do t’i përkujtojmë gjithë veprimtarët që kanë rënë për liri.
“Pas demonstratave të zhvilluara në Prizren, Therandë dhe Pejë gjatë muajit tetor të vitit 1968 pikërisht në ditën e sotme, para pesëdhjetë vitesh u zhvilluan demonstratat këtu në Prishtinë, Ferizaj, Gjilan, Podujevë dhe në Mitrovicë në të cilat dominoj kërkesa për Republikë, për Republikën e Kosovës dhe vetëvendosje. Këto demonstrata ishin masovike të dinjitetshme dhe të organizuara mirë. Ndonëse rrugët e Kosovës u përgjakën dhe burgjet u mbushën me të burgosur demonstrues kërkesa gjithë popullore për republikën e Kosovës mori rrugën e realizimit të saj për të shënuar rënien e dëshmorit Murat Mehmeti dhe sakrificën e organizatorëve të këtyre demonstratave që nuk janë në më në mesin tonë”, tha Ulaj, raporton “Ksp”.
Kurse, Murat Mehmeti, familjar i dëshmorit me të njëjtin emër i rënë në vitin 1968, tha se të gjithë demonstruesit e vitit ‘68 kanë dhënë jetën për çlirimin e Kosovës dhe, sipas tij, ata e meritojnë të ngrihen në piedestalin më të lartë.
“Jemi shumë krenarë për vëllanë tonë që dha jetën për çlirimin e këtij vendi. Kisha dashur të potencoj që gjithmonë dëshmorët e kombit t’i kujtojmë t’i ngremë në piedestalin më të lartë sepse e meritojnë. Vetëm duke i përkujtuar ne i përjetësojmë ata”, tha Mehmeti.
Ndërsa, Selatin Novosella, organizator i demonstratave të viti 1968, tha se kjo pllakë përkujtimore ka një simbolikë të veçantë për të, sepse ato demonstrata kanë qenë kyçe për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Ndërsa, falënderoi Komunën e Prishtinës siç thotë ai për mundësinë që të kenë një vend ku të përkujtohen këta veprimtarë.
Demonstratat e vitit 1968 kishin rëndësi të madhe për popullin shqiptar sepse ishin prioritare për ndërgjegjësimin e popullit shqiptar që diplomacia evropiane e ndërkombëtare të kuptonte se populli shqiptar po shtypej nga Serbia.