Zbulohet pllaka përkujtimore kushtuar viktimave të 11 shtatorit
“Sot 18 vjet më parë edhe Kosova e përjetoi rëndë sulmin mbi institucionet, mbi popullin, mbi miqtë tanë, mbi njerëzit e Amerikës. Kosova kujton çdo vit në këtë datë të rënët, martirët e kësaj dite dhe njëkohësisht bashkëndjen me Amerikën”, kështu tha kryeministri në detyrë, i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, pasi bëri homazhe dhe mori pjesë në zbulimin e obeliskut në oborrin e Qeverisë së Kosovës, kushtuar viktimave të 11 shtatorit 2001, në SHBA.
Para figurave të shumta të rëndësishme si vendore por edhe të huaja, kryeministri në detyrë, Haradinaj, duke kujtuar këtë tragjedi ndaj miqve tanë amerikanë, tha se kjo ditë në Kosovë do të kthehet në traditë dhe se në çdo 11 shtator të çdo viti do të nderojnë të rënët në Amerikë, para se të fillojnë punën institucionet e vendit.
“Sepse i konsiderojmë si tanët, sepse Amerika ishte me ne për lirinë tonë dhe është garancë për lirinë në botë e ne çdo herë do të jemi bashkë me Amerikën për të mbrojtur lirinë. Nderime për të rënët”, tha kryeministri Haradinaj, në fjalën e tij para të ftuarve prezentë.
Ndërkaq, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, tha se sot është një ditë e zymtë për amerikanët dhe se në shtëpi e kudo nëpër botë kujtojnë me pikëllim humbjen e gati tre mijë njerëzve të pafajshëm, jeta e të cilëve u shua, akt të cilin ai e quajti sulm ndaj civilizimit.
“Amerika gjithmonë do të kujtojë ndihmën që ka marrë nga e gjithë bota dhe përgjigja e miqve tanë nga Kosova ishte e menjëhershme dhe e sinqertë. Pas sulmit në Kosovë njerëzit mblidheshin që të marshonin dhe mbështesnin Amerikën me ndezjen e qirinjve, dhurimin e gjakut, madje disa qytetarë të Kosovës dolën vullnetarë që t’i bashkohen ushtrisë amerikane që të luftojnë në luftën globale kundër terrorizmit”, shtoi Kosnett duke thënë se kjo mbështetje e përzemërt është një konfirmim i një lidhjeje të thellë në mes të njerëzve të Shteteve të Bashkuara dhe atyre nga Kosova.
Kryeministri në detyrë, Haradinaj, bashkë më ambasadorin Kosnett, zbuluan pllakën memoriale në nderim të viktimave të sulmit të 11 shtatorit 2011 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Pas zbulimit të pllakës memoriale, kryeministri në detyrë, Haradinaj, bëri homazhe dhe vendosi kurora lulesh, bashkë me të gjithë të pranishmit në këtë ceremoni.