
Zbulohet pllaka përkujtimore për Ismet Rracin, Abdixhiku: Vrasësit ende janë në liri
Në 24-vjetorin e vrasjes së për Ismet Rracitj, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka zbuluar pllakën për të.
Me këtë rast, i pari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka bërë me dije se kjo pllakë do të shërbejë si shenjë kujtimi për veprën e jashtëzakonshme të burrave e grave të shtëpisë së kësaj partie.
“Në praninë e familjarëve, zonjës Xhemile, djemve Albanit e Asimit; nën shoqërimin e deputetëve e anëtarëve të Kryesisë, sot zbuluam pllakën përkujtimore të Ismet Rracit, në 24 vjetorin e vrasjes së tij. Kjo pllakë, pjesë e koridorit të përkujtimeve në LDK, krah Enverit, Xhemes e Nekibes, do të shërbejë si shenjë kujtimi për veprën e jashtëzakonshme të burrave e grave të shtëpisë tonë në shërbim të vendit. Më 24 prill të vitit 2001, familja Rraci humbi më të dashurin e tyre; LDK një veprimtar të pashoq të orëve të rënda; Klina një kryetar komune të zgjedhur me votë demokratike; e Kosova një atdhetar të lëvizjes kombëtare për liri, pavarësi e demokraci”, ka shkruar Abdixhiku në “Facebook”.
“Trashëgimia politike e Ismet Rracit vazhdon të jetojë brenda Lidhjes. Atë e gjejmë sot më së miri tek tani kryetari i degës sonë në Klinë, Albani, i biri i tij! Ismet Rraci ishte themelues i Degës së LDK-së në Klinë. Pas përfundimit të luftës, ai ishte zgjedhur kryetar i Komunës së Klinës. Gjatë shkuarjes së përditshme për në punë, pranë hyrjes së banesës së tij, ishte vrarë më 24 prill të vitit 2001. Vrasësit ende janë në liri!”, ka shkruar ai.