Zbulohet shtatorja e komandantit Adem Jasharit në Shtime
Për nder të festës së 28 nëntorit është bërë zbulimi i shtatores së komandantit legjendar Adem Jashari, në qendër të qytetit në Shtime. Kjo shtatore është përjetësuar në këtë komunë për të shërbyer si kujtesë për brezat e ardhshëm për sakrificën e paraardhësve për çlirimin e vendit.
Kryetari në larim i Komunës së Shtimes, Naim Ismajli, ka thënë se po promovojnë shtatoren e komandantit Adem Jashari në këtë ditë e moment të veçantë.
“Me luftën e UÇK-së u kurorëzua ajo që me shekuj pritej, liria e Kosovës, prandaj në këto ditë të veçanta kur përurojmë shtatore si ky i komandantit Adem Jashari dhe ushtarëve të tij, pjesëtarëve të UÇK-së, sigurisht që na kthehet kujtesa mbrapa jo vetëm për 22 vite por edhe për dekada e shekuj. Populli jonë deri te arritja e lirisë, pati një rrugëtim të gjatë, të vështirë me plotë sakrifica, ku shumë shqiptarë e paguan, madje edhe me gjak. Prandaj të gjithë ne që frymojmë lirshëm e kemi një obligim, kujtesën për të kaluarën dhe respektin dhe gjithsesi atë që më së shumti duhet ta mbajmë mend janë vlerat e UÇK-së sepse ato janë bazamenti, themeli mbi të cilat po ngritët shteti ynë, shteti më i ri, Republika e Kosovës ”, ka thënë ai, raporton “Ksp”.
Ai ka thënë se Komuna e Shtimes ka pasuar transformime të rëndësishme në ndërtim e zhvillim, në emancipim dhe integrim.
“Do mbetet gjithmonë obligim i yni ku do që jemi, që kontributin tonë dhe punën tonë, duke mos harruar asnjëherë të kaluarën tonë të lavdishme me plotë sakrificë të vazhdojmë drejt synimeve tona për shtet dhe për liri dhe për të mirat e gjithë qytetarëve dhe gjithë brezave që vijnë”, ka thënë Ismajli.