Zbulojnë peshkun që mbijeton jashtë ujit, autoritetet bëjnë thirrje të vritet
Në shtetin Xhorxha të SHBA-ve është zbuluar për herë të parë një lloj peshku që është i ri për zonën, dhe që arrin të shtegtojë duke lëvizur qëllimisht dhe jashtë ujit pasi merr oksigjen nga flegrat e gushës. Por ngaqë është rrezik i madh për speciet vendase, autoritetet u kanë bërë thirrje kujtdo që has peshq të tillë që t’i vrasin, për të shpëtuar të tjerët.
“Falë raportimit të shpejtë të kësaj specieje invazive në këtë zonë, ne do të ndërhyjmë menjëherë”, tha Met Tomas, shefi i peshkimit në Xhorxha.
Këta lloj peshqish, të quajtur “Kokëgjarpër”, rriten në Azi dhe në Afrikë, në ujëra të ëmbla. Ndërsa në Xhorxha të SHBA-ve po zbulohen për herë të parë. Nëse lihen të jetojnë në atë zonë, këta peshq do të hanë speciet e tjera autoktone dhe do t’i çojnë drejt zhdukjes.