‘Zbuten’ tifozët e Arsenalit, megjithatë trajneri e lë jashtë skuadre Xhakën
Menjëherë pasi Granit Xhaka bëri gjeste e pahijshme duke nxitur tifozët e Arsenalit për vërshëllimat, të gjithë ishin në një mendje: “Të përjashtohet”.
Tifozët e Arsenalit nuk kënaqeshin vetëm me heqjen e shiritit të kapitenit, por donin edhe largimin e mesfushorit me origjinë shqiptare. Derisa erdhi reagimi i Xhakës ku shprehej se kishte marrë kërcënime për gruan, veten e tij apo edhe njerëz që uronin kancerin për vajzën e porsalindur. Në kushte të tilla edhe tifozët e Arsenalit kthehen në njerëzor dhe në rrjetet sociale ka pasur mbështetje në orët e fundit, për ta kthyer Xhakën në formacion.
“Si fillim rëndësi ka njeriu dhe si çdo njeri, Xhaka ka ndjenjat e tij dhe i duhet kohë që të rikthehet në normalitet. Ai kërkoi falje ndaj tifozëve dhe të gjithëve. Nuk e kam në plane nesër dhe nuk mendoj se do të luajë. Tani Xhaka duhet ta lërë pas këtë moment dhe të përqendrohet 100% në fushën e lojës”, ka thënë trajneri Uani Emery.