Zbythje ‘patriotike’ për zgjedhje të parakohshme?!
Shkruan: Agron Hoti
Sipas deputetit gjerman të CDU-së, Peter Bayer, ka gjasa që Kosova të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
E kjo do të ishte ajo që më së paku i shkon për shtati Kosovës, të ardhmes së saj dhe vetë partnerëve tanë perëndimorë që me ngulm po kërkojnë zgjidhje të problemit Kosovë-Serbi.
E kemi thënë që sa e sa herë që Serbia ka qenë dhe ngelet fuqimisht e përkushtuar që çështja e Kosovës të mos zgjidhet.
Ruajtja e kësaj gjendjeje në Kosovë sa më gjatë që të jetë e mundur është synimi madhor i Serbisë dhe Rusisë. Sepse vetëm ruajtja e kësaj gjendjeje e paralizon zhvillimin dhe çfarëdo perspektive për Kosovën. Moszgjidhja e problemit me Serbi, humbëse në secilin variant e bën Kosovën.
Fakti që Serbia po flitet të shkojë në zgjedhje të parakohshme tregon më së miri për përpjekjet e saj bishtëruese për të mos e zgjidhur problemin me Kosovë. Prandaj, Kosova, në asnjë variant nuk guxon të bjerë nën grackë të Serbisë.
Në qoftë se Kosova vërtetë shkon në zgjedhje të parakohshme këtë vit, atëherë kjo do të ishte ndihmesa më e madhe që do t’ia bënim Serbisë.
Kjo sepse shkuarja e Kosovës në zgjedhje do të na fuste në vitin 2024 që është vit elektoral në SHBA për zgjedhjen e kryetarit të saj. Inaugurimi i kryetarit të SHBA-së nuk bëhet deri në janar 2025. Nuk përjashtohet fare mundësia që të fitojë Donald Trump dhe Grenell të bëhet Sekretar Shteti.
Dihet që qeveria aktuale e Kosovës ka anuar hapur pro zgjedhjes së kryetarit Biden, administrata e të cilit po mundohet që sa më shpejtë t’i japë epilog problemit Kosovë-Serbi. Biden është kryetari i fundit i SHBA-së që i njeh shumë mirë problematikat e Ballkanit me theks të veçantë problemin Kosovë-Serbi.
Prandaj, Biden – për të parandaluar çfarëdo konflikti të mundshëm Kosovë-Serbi aq shumë të dëshiruar nga Rusia – ka angazhuar një rrjet diplomatësh me përvojë për ta zgjidhur problemin Kosovë-Serbi në kohën kur Rusia ka bërë agresion në Ukrainë dhe për ta shpërqendruar SHBA-në po mundohet me të gjitha mjetet të ndezë konflikt edhe në Ballkan.
Ndërkohë që qeveria aktuale e Kosovës – ashtu siç u konfrontua me Administratën Trump – edhe më shumë është duke u konfrontuar së fundmi me Administratën Biden, diçka e paparë dhe e padëgjuar në historiatin e marrëdhënieve Kosovë-SHBA.
Dhe nëse Kosova këtë vit futet në zgjedhje të parakohshme siç me shumë gjasë do të futet edhe Serbia, ndërkohë që në vitin tjetër do të kemi zgjedhje edhe në SHBA e BE, atëherë problemi Kosovë-Serbi nuk do të mund të rikthehet më në rend-ditën amerikane e evropiane para shtatorit 2025 në rastin më të mirë, apo në fillim të vitit 2026 në rastin më të keq.
Dhe nëse tanimë veriu i Kosovës është pothuajse jashtë çdo kontrolli institucional, atëherë shtyerja e bisedimeve Kosovë-Serbi deri në fillim të vitit 2026 në terma praktikë do të thonte kështu:
– vazhdim gjendjeje e paparashikueshme në veri e shoqëruar me tensione;
– neglizhencë nga SHBA e BE për shkak të zhvillimeve të brendshme të tyre;
– ç’njohje eventuale të pavarësisë së Kosovës;
– bllokim i rend-ditës evropiane;
– ngecje në zhvillim ekonomik;
– mungesë investimesh të huaja;
– vazhdim i përplasjeve mes forcave politike;
– polarizim i mëtejmë i shoqërisë; dhe
– nxitje edhe më e madhe e ikjes së rinisë që është interesi primar i Serbisë e Rusisë, për t’i pasur tokat shqiptare pa shqiptarë.
Prandaj, në qoftë se qeveria e Kosovës dëshiron ta shpërndajë përgjegjësinë për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, do të ishte mirë që ta zgjeronte koalicionin qeverisës pa shkuar fare në zgjedhje, ose të shkonte me ndonjë Grup Uniteti e me qeveri teknike gjithëpërfshirëse, në mënyrë që t’i përgjigjet kërkesës së SHBA-së për ta mbyllur sa më shpejtë problemin me Serbi. Çdo rrugë tjetër do të sillte shumë të panjohura.
Nuk duhet ta harrojmë asnjëherë që loja po zhvillohet në territorin e Kosovës dhe se moszgjidhja e problemit me Serbi do të thotë humbje vetëm për Kosovën, sepse për fatin tonë të keq është Kosova që është bllokuar e asesi Serbia. A.H.