Zëdhënësi i BE-së dënon sulmet terroriste ndaj policisë në veri
Duke folur për sulmet vrastare dhe terroriste të djeshme në fshatin Banjskë të Zveçanit, zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE), Peter Stano, ka thënë se BE-ja “dënon fuqishëm sulmet terroriste dhe të liga ndaj Policisë së Kosovës”.
Me këtë rast, ai ka bërë thirrje për kthim në tryezën e dialogut për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në konferencën e tij të përditshme për medie, Stano ka kërkuar “shtensionim urgjent” të situatës teksa i është referuar sërish deklaratës së lëshuar nga Bashkimi Evropian para një jave me kërkesat ndaj Kosovës dhe Serbisë.
Ngjarjet e djeshme në veri Stano i quajti “tejet të rrezikshme” . “Duhet të gjejmë rrugën përtej krizave të njëpasnjëshme dhe t’i kthehemi zgjidhjes normale të problemeve përmes dialogut”, ka shtuar Peter Stano.