Zëdhënësi i KQZ-së tregon se kur do numërohen votat me kusht

17 nëntor 2021 | 12:34

Rezultatet përfundimtare të raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetarë të 21 komunave të cilat janë mbajtur më 14 nëntor, pritet të shpallen së shpejti.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka bërë me dije se ky institucion është duke u angazhuar në përmbylljen e procesit zgjedhor.

Elezi ka treguar se pjesa më e madhe e rezultateve tashmë janë certifikuar nga KQZ-ja.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke u angazhuar që ta përmbyllë procesin e zgjedhjeve lokale, i cili ka filluar në mes të muajit qershor, kur ishte shpallur data e zgjedhjeve. Deri më tani, KQZ-ja ka certifikuar rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve për 38 kuvendet komunale dhe rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve për kryetarë të 17 komunave që janë mbajtur më 17 tetor. Në proces është shpallja dhe certifikimi i rezultatit përfundimtar të raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetarë të 21 komunave që u mbajtën më 14 nëntor”, ka thënë Elezi për “EO”.

I pyetur se kur do të bëhet numërimi i votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta, ai ka shpjeguar se janë duke punuar për të pasur një listë të saktë të votave me kusht për çdo komunë dhe se numërimi i tyre pritet të fillojë brenda një apo dy ditësh.

“Sa i përket shpalljes së rezultateve përfundimtare të raundit të dytë, deri më tani KQZ-ja ka numëruar votat nga jashtë Kosovës dhe brenda një apo dy ditësh do të fillojmë me numërimin e votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta”.

“Po ashtu, para shpalljes marrim edhe konfirmimet nga PZAP-i dhe Gjykata Supreme se nuk kanë ndonjë çështje për të shqyrtuar/vendosur. Kur të përmbyllen këto procese të parapara me ligj, atëherë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mund të shpall rezultatet përfundimtare”, ka thënë Elezi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
BB VIP - Këngëtarja e njohur, Semi Jaupaj, gjatë qëndrimit…