Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi: Zgjedhjet në veri kushtuan 141 mijë e 938 euro

06 korrik 2023 | 12:08

Organizimi i zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat në veri të Kosovës, buxhetit të shtetit i ka kushtuar rreth 142 mijë euro.

Koston e këtyre zgjedhjeve e ka konfirmuar për “Epokën e re”, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi.

Ai ka bërë me dije për zgjedhjet në veri, KQZ-ja kishte planifikuar mbi 497 mijë euro.

“Mund t’iu konfirmoj se është hartuar raporti i shpenzimeve për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar në katër komunat Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok si dhe për zgjedhjet e parakohshme për dy kuvendet komunale Zveçan dhe Leposaviq. Sipas raportit, nga 497 398 euro të planifikuara, janë shpenzuar vetëm 141 938 euro apo 28.54 për qind  e mjeteve të planifikuara. Në këtë shumë të përgjithshme të mjeteve të shpenzuara, janë përfshirë edhe mjetet për organizimin e zgjedhjeve të 18 dhe 25 dhjetorit 2022, të cilat u shtynë më 10 dhjetor, si dhe mjetet për organizimin e zgjedhjeve të datës 23 prill 2023. Buxheti i planifikuar për organizimin e raundit të parë të zgjedhjeve ka qenë në shumën 310 183 euro, ndërsa për raundin e dytë 246 300 euro”, ka deklaruar Elezi.

Zgjedhjet në veri i kanë fituar kandidatët shqiptarë pasi këto zgjedhje janë bojkotuar nga serbët.

Vendosja e kryetarëve në katër komunat në veri është përcjellë me tensione dhe protesta të dhunshme nga serbët. Në këto protesta të dhunshme janë lënduar policë, ushtarë të KFOR-it dhe gazetarë. Pavarësisht kësaj, serbët dhe Serbia nuk janë duke u pajtuar me këto zgjedhje. Duke e parë situatën e tensionuar në veri, bashkësia ndërkombëtare është duke insistuar në shtensionimin e situatës dhe përsëritjen e zgjedhjeve me disa kushte, të cilat përfshijnë edhe largimin e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga ndërtesat komunale. Po ashtu, bashkësia ndërkombëtare është duke kërkuar që kryetarët t’i ushtrojnë detyrat e tyre nga ndërtesat alternative. Deri më kërkesa për largimin e njësive speciale nuk është marrë parasysh nga Qeveria e Kosovës, por ka shprehur gatishmëri për zgjedhje të reja në këto katër komuna. Për shkak të mospërmbushjes së kërkesave të ndërkombëtareve, Bashkimi Evropian (BE) ka vendosur disa masa kundër Kosovës.

Në kontekst të organizimit të zgjedhjeve të reja, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se ky institucion çdo herë është gati ta përmbush rolin e tij kushtetues dhe ligjor.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, si institucion i përhershëm kushtetues, e ka për detyrë kryesore organizimin e zgjedhjeve kurdo që ato shpallen. Si çdoherë, ashtu siç kemi thënë edhe në të kaluarën, KQZ-ja është e gatshme për të përmbushur detyrat që dalin nga Kushtetuta dhe ligjet në fuqi”, ka thënë Elezi.

Kujtojmë se zgjedhjet në veri janë fituar nga kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosjes (LV) dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK). Lulzim Hetemi (LV) është zgjedhur kryetar i  Komunën së Leposaviqit, Erden Atiqi (LV) në Komunën e Mitrovicës së Veriut,  Ilir Peci (PDK) në Komunën e Zveçanit dhe Izmir Zeqiri (PDK) në Komunën e Zubin Potokut. / Epoka e re/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Ismet Kryeziu, ka…