Zëdhënësi i LDK-së: Po punohet që në krye të partisë të jetë një figurë përbashkuese

01 gusht 2019 | 17:07

Pas tri orësh diskutimi ka përfunduar mbledhja e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Zëdhënësi i kësaj partie, Besian Mustafa, pas mbledhjes së kryesisë ka bërë me dije se po punohet që në krye të LDK-së të jetë një figurë përbashkuese.

Ai ka treguar se në këtë mbledhje është diskutuar për përgatitjet e Kuvendit të nëntë Zgjedhor, i cili do të mbahet këtë të shtunë.

“Kryesia vlerësoi lart interesimin dhe pretendimin për të kandiduar nga disa kolegë në kryesi me kontribute shumë të larta në LDK për 30 vjetët e fundit. Kryesia dhe gjithë anëtarësia e LDK-së vlerëson se është shumë e rëndësishme që në krye të LDK-së të jetë një figurë përbashkuese, për të cilën zgjidhje po punohet intensivisht deri më 3 gusht”, ka thënë Mustafa.

Ai ka deklaruar se Kryesia e LDK-së ka vendosur që t’i propozojë Kuvendit anëtarët e Komisionit Statutar, Komisionit Verifikues, Komisionit Kandidues, Komisionit Zgjedhor dhe Kryesisë së Punës.

Po ashtu, Mustafa ka deklaruar se kandidaturat për kryetar të LDK-së do të shpallen të shtunën.

/Epoka e re/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dr. Admir Sulovari nga Shqipëria ka prezantuar temën “Doppler Ultratingulli…