Zëdhënësi i LV-së: Kur po përfundon pandemia, Thaçi po thërret për respektim të masave
Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, ka thënë se presidenti Hashim Thaçi është duke bërë thirrje të respektohen rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK) në kohën kur po përfundon pandemia Covid-19.
Në këtë kontekst, Manxhuka është shprehur se Thaçi ka dështuar që të shpallë gjendje të jashtëzakonshme.
“Personi që bëri thirrje për mosbindje ndaj masave të qeverisë që erdhën si rezultat i rekomandimeve të IKSHP-së dhe i njëjti që frekuentonte kafiteritë, dhe i njëjti që shkeli këto rekomandimet të përkthyera në rregulla kur doli në Shqipëri, sot na foli se si duhet të respektohen rekomandimet e IKSHP-së, tash kur jemi në përfundim të suksesshëm të pandemisë, ky që dështoi të shpalle gjendje të jashtëzakonshme”, ka shkruar Manxhuka në llogarinë e vet në “Facebook”.