Zëdhënësi i LV-së: Lajçaku nuk e hapi temën e Asociacionit në takim me Kurtin

16 tetor 2020 | 13:52

Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Përparim Kryeziu ka thënë se në takim me të dërguarin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, kanë biseduar vetëm për dialog, dhe jo për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Kryeziu ka thënë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk ka mundur të jetë pjesë e takimit, pasi që Lajçak i dinë qëndrimet e LV-së për këtë temë.

“Në takimin me z. Lajçak është diskutuar për procesin e dialogut në vete. Asociacioni i Komunave me shumicë serbe nuk ka mundur të jetë temë e këtij takimi pasi z. Lajçak është shumë i vetëdijshëm për qëndrimet dhe vlerësimet e LV-së në lidhje me të. Prandaj edhe nuk është paraqitur nevoja për riaktualizim të kësaj teme në takim me ne. Të njëjtën konsideratë me gjasë nuk mund ta këtë pasur në takimet e tjera, veçanërisht me ata të cilët e kanë negociuar e përkrahur si marrëveshjen e 2013-s po ashtu edhe atë të 2015-s”, ka shkruar Kryeziu në llogarinë e vet në “Facebook”.

Ai ka shtuar se “Në fakt, me të drejtë, kjo temë mund të konsiderohet e mbyllur vetëm për LV-në, duke qenë e vetmja që e ka kundërshtuar marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë Serbe që nga fillimi – atëherë kur edhe është dashur të shprehet kundërshtimi. Kurse pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të 23 dhjetorit 2015, që e ka bërë praktikisht e përmbajtësisht projekt të pamundur në Republikën e Kosovës, kjo temë duhet të jetë e mbyllur edhe për gjithkë tjetër”, ka shkruar ndër të tjera Kryeziu.

(F.D / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Halime Krasniqi shpall të pavlefshme dëftesat e kl l -…