Zëdhënësi i PDK-së: Kritikat e Osmanit për Kurtin të vonuara, dëmi është bërë
Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Faton Abdullahu, ka komentuar fjalimin vjetor të presidentes Vjosa Osmani.
Ai ka vlerësuar se kritikat e shefes së shtetit ndaj kryeministri Kurti janë të vonuara.
Abdullahu ka shkruar në “Facebook” se tashmë dëmi në raportet e Kosovës me aleatët ka ndodhur.
“Këto kritika kanë gjetur vend edhe në fjalimin e sotëm të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, të drejtuara kah sjelljet dhe vendimet e Qeverisë Kurti, sidomos politikave qeverisëse në raport me ShBA-në. Po të mos ishte ky reagim konstruktiv i PDK-së, presidentja Osmani do të vazhdonte me avazin e vjetër të jetë pjesë e mendësisë jo konstruktive dhe regresive që ka tash sa kohë qeveria Kurti në raport me ShBA-në dhe jo vetëm. Por këto nota realiste e të mira në fjalimin e presidentes Osmani, sigurisht janë të vonuar. Dëmi i raporteve ShBA-Kosovë dhe Kosovë-faktori ndërkombëtar, është bërë dhe po bëhet. E për këtë arsye riparimi do të zgjatë më shumë. Në të vërtetë, për aq sa ka heshtur dhe për aq sa me heshtje e ka ndihmuar qeverinë Kurti, presidentja Osmani, për aq më shumë do të zgjatë riparimi. Keq e nderuara Presidente shumë keq”, ka shkruar Abdullahu.