Zëdhënësi i PDK-së: LV-ja dhe Lista Serbe u bashkuan kundër veteranëve të UÇK-së
Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Faton Abdullahu, ka reaguar ashpër për vendimin e Kuvendit të Kosovës ku deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe ata të Listës Serbe u bën bashkë për të larguar veteranët e UÇK-së nga paga minimale në Kosovë.
Abdullahu ka thënë se Vetëvendosjes i ka dalë në krah Lista Serbe për ta bërë një “listë të re” të historisë së Kosovës, prej ku veteranët e UÇK-së janë të përjashtuar.
“Sot, LV-ja dhe Lista Serbe u angazhuan bashkë maksimalisht jo vetëm që veteranët të mos jenë të barabartë në pagën minimale, por që edhe historia e tyre të minimalizohet maksimalisht. Sot, LV-ja dhe LS-ja u bën me një gojë që UÇK-ja të mbetet vetëm gojëdhënë e përjashtuar nga çdo lavdi e histori dhe më së shumti nga çdo institucion i Kosovës. Sot Vetëvendosja dhe Lista Serbe në Kuvendin e Kosovës u morën vesh se si t’i vlerësojnë veteranët e UÇK-së duke i diskriminuar dhe duke i përjashtuare e nënçmuar”, ka shkruar Abdullahu në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka thënë se në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, LV-ja dhe Lista Serbe e kanë treguar fytyrën e vërtetë, duke dëshmuar se pafytyrësia politike kundër shtetit të Kosovës është klanore, arrogante, por edhe e koordinuar.
“Sot, LV-ja dhe LS-ja e bën bashkë politikën e Kosovës zyrtare të cilën nuk ka mundur ta bëjë kaq djallëzore as Serbia zyrtare. Sot, LV-ja dhe LS-ja në Kuvendin e Republikës së Kosovës filluan publikisht, bashkë, një të ardhme të re regresive që është rrezik i vjetër për shtetin e Kosovës. Kjo tango politike LV -LS është duke i lëvizur hapat me tingujt e muzikës që luhen diku jashtë Kosovës. Ju si duket nuk e keni ndërmend të ndaleni, por as ne nuk e kemi ndërmend t’ju lejojmë”, ka shkruar Abdullahu.